Ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj janë vënë në shënjestër nga raketa të lëshuara nga Hezbollahu në jug të Libanit, duke rritur tensionet në një moment kur palët ndodhen në armëpushim.
Sipas Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF), Hezbollahu ka qëlluar me raketa drejt forcave izraelite që operojnë në zonë. Në reagim, ushtria izraelite thotë se “sulmoi lançuesin nga i cili u qëlluan raketat”. Deri më tani, Hezbollahu nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me këto akuza.
Në një përditësim të mëhershëm në Telegram, IDF deklaroi se forcat e saj tokësore dhe ajrore kanë vrarë “terroristë që kaluan vijën mbrojtëse në zonën Al-Qsair”, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të armëpushimit.
Izraeli dhe Libani ndodhen aktualisht në një armëpushim 10-ditor, pas gjashtë javësh përplasje mes Hezbollahut dhe ushtrisë izraelite. Megjithatë, zhvillimet e fundit hedhin dyshime mbi qëndrueshmërinë e tij.
Ndërkohë, përfaqësues të të dyja palëve pritet të takohen për një raund të dytë bisedimesh të enjten, sipas një zyrtari amerikan, në përpjekje për të shmangur një përshkallëzim të ri.
Lini një Përgjigje