TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Qershor 2026, 17:27

Anulohet lirimi i kreut të organizatës terroriste greke “17 Nëntori”, Giotopoulos rikthehet në burg

Shkruar nga Pamfleti
Anulohet lirimi i kreut të organizatës terroriste greke “17
Aleksandros Giotopoulos

Aleksandros Giotopoulos, i dënuar si udhëheqësi i organizatës terroriste greke "17 Nëntori" (17N), e cila për dekada kreu atentate, vrasje dhe sulme në Greqi, përballet me një zhvillim të ri gjyqësor vetëm pak ditë pas lirimit të tij me kusht.

Gjykata e Lartë e Greqisë ka pranuar rekursin kundër vendimit që i kishte lejuar lirimin me kusht, duke anuluar efektet e tij dhe duke hapur rrugën për rikthimin e tij në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Çështja mori një drejtim të ri pas ndërhyrjes së zv/prokurorit të Gjykatës së Lartë, Sofoklis Logothetis, i cili vlerësoi se vendimi i Këshillit të Apelit të Pireut ishte mbështetur në një interpretim të gabuar të ligjit.

Sipas qëndrimit të prokurorisë, për një të dënuar që vuan disa dënime me burgim të përjetshëm duhet të zbatohet ligji 4855/2021, i cili parashikon se shqyrtimi i mundësisë së lirimit me kusht mund të bëhet vetëm pas vuajtjes reale të të paktën 25 viteve burg.

Nga ana tjetër, Këshilli i Apelit kishte interpretuar se duhej të zbatoheshin dispozitat e mëparshme ligjore, të cilat përcaktonin si kusht minimal 19 vite vuajtje reale të dënimit. Pikërisht kjo mospërputhje mbi kuadrin ligjor të zbatueshëm përbëri thelbin e rekursit.

Me vendimin e Gjykatës së Lartë, akti gjyqësor që kishte çuar në lirimin e Giotopoulos humbet fuqinë juridike, ndërsa rikthehet në fuqi vendimi i mëparshëm refuzues i Këshillit të Gjykatës së Shkallës së Parë.

Si pasojë, Giotopoulos pritet të rikthehet në burg deri në marrjen e një vendimi të ri nga drejtësia.

Çështja do të rishqyrtohet nga një përbërje tjetër e Këshillit të Apelit të Pireut, i cili do të vendosë sërish mbi kërkesën për lirim me kusht.

aleksandros giotopoulos greqi

Lini një Përgjigje