
Protesta qytetare ka hyrë në ditën e saj të 16-të, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur në Sheshin “Skënderbej” për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj situatës politike, ekonomike dhe sociale në vend.
Para nisjes së marshimit drejt Kryeministrisë, disa prej protestuesve ndanë për mediat arsyet që i kanë shtyrë të dalin në shesh.
Një prej tyre, i moshuar, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të largohet nga detyra, duke e akuzuar për gjendjen e vështirë ekonomike dhe largimin e të rinjve nga Shqipëria.
Në një prononcim për "News 24" ai deklaroi se: "Rama, tradhtari më i madh në këtë vend. Na keni larguar djemtë nga vendi. I lëmë kohë Ramës që të japë dorëheqjen deri të shtunën, se do të përballet me revolucionin e të rinjve. I them Sali Berishës që të largohet, se kemi që nga ’91 që na mashtron. Pensioni nuk më del. Paguaj drita e ujë dhe pak më ngelet”.
Një tjetër protestues e cilësoi lëvizjen qytetare si një nga reagimet më të rëndësishme publike të viteve të fundit, duke argumentuar se qytetarët po kundërshtojnë jo vetëm vështirësitë ekonomike, por edhe humbjen e shpresës për të ardhmen.
“Këta dje na kanë vrarë fizikisht, sot duan që të na vrasin shpirtërisht. Por kjo nuk do të ndodhë. Kjo është protesta më e ndershme dhe më heroike që nga rrëzimi i diktaturës. Kam besim se do të sjellë gjithçka kjo protestë”, tha ai.
Mes protestuesve ishte edhe një emigrant i ardhur nga Athina, i cili tha se kishte qenë mbështetës i Partisë Demokratike në fillim të viteve ’90, por sot shprehet i zhgënjyer nga politika shqiptare në tërësi.
Ai akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha për shkatërrimin e sektorëve të rëndësishëm të vendit dhe tha se pasojat e vendimeve të marra gjatë tranzicionit vijojnë të ndihen edhe sot.
“Jam demokrat i viteve ’90, ne dikur kishim shkollë të pilotëve, tani është shkatërruar. Berisha shkatërroi industrinë, arsimin. Kur u bë reforma e ’92 kritikova dhe thashë nuk duhet asnjë drejtues komunist, ja ku jemi sot. Nuk ka liri, s’kemi drejtësi. Pa drejtësi s’ka liri. Këto gjëra të thjeshta nuk i kuptojmë. Kam 27 vite që jetoj në Athinë”, shprehet një tjetër protestues.
Deklaratat e tyre pasqyrojnë një gamë të gjerë shqetësimesh, nga vështirësitë ekonomike dhe pensionet e ulëta, te emigracioni, mungesa e drejtësisë dhe pakënaqësitë ndaj klasës politike. Protesta e sotme vijon me marshimin e qytetarëve në rrugët e Tiranës, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje