Forcat ajrore dhe detare të Shteteve të Bashkuara përdorën një helikopter “Black Hawk” për të ndaluar një anije të dyshuar për trafik droge pranë brigjeve të Porto Rikos. Sipas Fox News, operacioni u zhvillua më 14 maj, ndërsa pamjet e ndërhyrjes u publikuan këtë të premte, më 29 maj.
Autoritetet amerikane identifikuan një mjet lundrues rreth 25 metra të gjatë, në bord të të cilit ndodheshin tre persona dhe disa pako të dyshimta. Pas zbulimit të anijes, Njësia Detare e San Juan dërgoi një patrulluese, e mbështetur nga një helikopter “Black Hawk”.
Gjatë operacionit u arrestuan tre shtetas të Republikës Domenikane, ndërsa në bord u sekuestruan rreth 180 kilogramë kokainë.
Siç tregojnë edhe pamjet e publikuara, të dyshuarit tentuan të hidhnin ngarkesën në det, por më pas u dorëzuan duke vendosur duart mbi kokë, pasi ekuipazhi i helikopterit lëshoi të shtëna paralajmëruese. Më pas, agjentët iu afruan skafit dhe e shoqëruan atë drejt anijes patrulluese amerikane.
Përfundimi me sukses i këtij operacioni me mbështetjen e helikopterit “Black Hawk” konsiderohet si një tjetër demonstrim i angazhimit të forcave amerikane në luftën kundër trafikut të drogës në rajonet jugore pranë kufijve të SHBA-së.
“Ekipet tona të Operacioneve Ajrore dhe Detare demonstruan aftësi dhe koordinim të jashtëzakonshëm në këtë ndalim. Përdorimi vendimtar i zjarrit ajror paralajmërues nga ekuipazhi ynë i Black Hawk ishte i rëndësishëm në ndalimin e anijes dhe në parandalimin e narkotikëve të rrezikshëm që të arrinin në komunitetet tona”, tha Drejtori i Degës së Forcës Ajrore dhe asaj të Detit të Karaibeve, Christopher Hunter.
Që prej nisjes së mandatit të tij presidencial, Donald Trump ka deklaruar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe operacionale për ta trajtuar kontrabandën e drogës si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Më 20 janar 2025, Trump shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të fluksit të narkotikëve që hynin në territorin amerikan.
Ndërkohë, forcat ajrore amerikane kanë zhvilluar edhe operacione të tjera kundër trafikut të drogës, përfshirë sulme ndaj mjeteve lundruese të ngarkuara me kokainë që kishin si destinacion brigjet e Shteteve të Bashkuara.
Kliko për të parë Videon.
Lini një Përgjigje