Ish-drejtori i shërbimit izraelit të sigurisë së brendshme Shin Bet, Ronen Bar, është evakuuar me urgjencë nga Emiratet e Bashkuara Arabe pasi mori një paralajmërim për një kërcënim ndaj sigurisë së tij, të lidhur me Iranin. Kështu raportoi të dielën mbrëma televizioni izraelit Channel 12.
Sipas raportit, Bar dhe bashkëshortja e tij ndodheshin në Emiratet e Bashkuara Arabe disa muaj më parë për të marrë pjesë në një konferencë të sigurisë. Channel 12 pretendoi se aktiviteti ishte organizuar nga ministri i Jashtëm i Emirateve, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Megjithatë, një burim pranë autoriteteve emirateze e mohoi këtë pretendim.
Channel 13 raportoi se në konferencë morën pjesë zyrtarë të lartë të sigurisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe përfaqësues të inteligjencës dhe vendimmarrës nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë qëndrimit të tij në Emirate, Bar mori një njoftim sigurie për një kërcënim të mundshëm ndaj tij. Pas vlerësimit të situatës, autoritetet izraelite vendosën ta largonin menjëherë atë dhe bashkëshorten e tij dhe t’i kthenin në Izrael.
Sipas mediave izraelite, operacioni i evakuimit u zhvillua në kushte të rrepta konfidencialiteti. Ronen Bar nuk komentoi publikisht raportimet.
Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën marrëdhënie diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë në vitin 2020 në kuadër të Marrëveshjeve të Abrahamit. Bashkëpunimi mes dy vendeve është ndikuar edhe nga shqetësimet e përbashkëta lidhur me aktivitetet rajonale të Iranit.
Raporti vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Iranit dhe Izraelit. Sipas mediave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të lartë izraelitë kanë zhvilluar vizita të fshehta në Emiratet e Bashkuara Arabe gjatë konfliktit të fundit. Autoritetet emirateze i kanë hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara.
Lini një Përgjigje