Për nj fitore, Trump duhet ta gëlltisë krenarinë e tij dhe të pranojë një marrëveshje më të keqe se status quo-ja e para luftës.
Donald Trump deklaroi më 10 qershor se Irani ishte “plotësisht i mundur”. Megjithatë, sipas tij, “ngacmuesi i Lindjes së Mesme”, ndonëse “i vdekur”, do të duhet ende të “paguajë çmimin” për refuzimin e kushteve amerikane të paqes.
Realiteti në terren paraqitet më i ndërlikuar. Pas më shumë se 100 ditësh bombardimesh dhe bllokade nga Shtetet e Bashkuara dhe aleati i saj Izraeli, regjimi iranian nuk duket i dorëzuar. Përkundrazi, ai ka treguar shenja sfiduese. Këtë javë, forcat iraniane rrëzuan një helikopter amerikan dhe lëshuan raketa drejt fqinjëve të tyre në Gjirin Persik, si dhe ndaj Izraelit. Këto veprime krijojnë përshtypjen se Teherani po sfidon drejtpërdrejt Trumpin për të braktisur armëpushimin e brishtë dhe për të rifilluar luftën.
Presidenti amerikan gjendet përballë tre problemeve njëkohësisht. Irani po kërcënon furnizimin global me energji përmes presionit mbi anijet cisternë që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit. Izraeli vazhdon sulmet ndaj Libanit, pavarësisht kërkesave të Trumpit për vetëpërmbajtje. Në të njëjtën kohë, zërat më luftënxitës në Uashington po i bëjnë presion presidentit që të ndjekë objektiva ushtarake shumë më ambicioze.
Megjithëse tregjet financiare duket se presin një zgjidhje relativisht të shpejtë, pasojat e konfliktit mund të zgjasin shumë më tepër. Kjo rrit gjasat që çmimet e energjisë të mbeten të larta për një periudhë të gjatë.
Brenda Iranit, situata mbetet e paqartë. Megjithatë, lufta duket se ka forcuar pozitat e linjës së ashpër të regjimit, veçanërisht të Gardës Revolucionare, e cila shihet si qendra reale e vendimmarrjes. Ndërsa popullsia përballet me vështirësi ekonomike, mungesa energjie dhe rënie të standardit të jetesës, udhëheqja iraniane duket e gatshme të rrezikojë një rikthim të konfliktit të hapur në vend që të pranojë kushtet e paqes të propozuara nga Trump.
Një faktor shtesë komplikues është Izraeli. Për të lehtësuar arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, Trump dëshiron që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të reduktojë operacionet kundër Hezbollahut në Liban. Sipas raportimeve, presidenti amerikan ka bllokuar edhe propozime për sulme ndaj Bejrutit.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave të Trumpit se ai kontrollon plotësisht situatën, prania ushtarake izraelite në jug të Libanit po zgjerohet. Netanyahu përballet me presione të brendshme politike përpara zgjedhjeve të përgjithshme dhe kërkon të ruajë imazhin e një lideri të vendosur në çështjet e sigurisë. Raportet sugjerojnë se bisedat telefonike mes dy liderëve janë bërë gjithnjë e më të tensionuara.
Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara, mbështetësit e një qasjeje më agresive po kërkojnë një luftë të plotë kundër Iranit, përfshirë goditje ndaj infrastrukturës së naftës. Ata besojnë se një strategji e tillë do ta detyronte Teheranin të heqë dorë nga programi bërthamor, të dorëzojë rezervat e uraniumit të pasuruar dhe të rikthejë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, kjo qasje konsiderohet e rrezikshme dhe me pak gjasa për të sjellë rezultatet e dëshiruara. Kontrolli që Irani ushtron mbi kalimin strategjik të Hormuzit i jep atij një mjet të fuqishëm presioni ndaj ekonomisë globale.
Çmimet e naftës reagojnë ndaj çdo zhvillimi të ri, por deri tani nuk kanë arritur nivelet që disa analistë i konsiderojnë të mundshme. Kjo është ndihmuar nga ulja e kërkesës në Kinë dhe vende të tjera të mëdha importuese, rritja e prodhimit nga SHBA-ja dhe eksportues të tjerë, si dhe përdorimi i rezervave strategjike.
Megjithatë, këto masa kanë kufizime. Gjatë verës kërkesa për karburante dhe karburant aviacioni zakonisht rritet ndjeshëm, ndërsa rezervat në shumë vende mund të fillojnë të shterojnë gjatë vjeshtës. Nëse tensionet vazhdojnë, ekonomia globale mund të përballet me një krizë energjetike serioze.
Pasojat politike mund të jenë të ndjeshme edhe për vetë Trumpin. Votuesit amerikanë tashmë po e lidhin rritjen e çmimeve të karburanteve me politikat e administratës së tij. Një përkeqësim i mëtejshëm i situatës mund të ndikojë negativisht te republikanët në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor.
Në këto rrethana, Trump ka nevojë për një marrëveshje me Iranin. Rikthimi në situatën para luftës duket i pamundur, ashtu si edhe një marrëveshje e ngjashme me atë të vitit 2015, të negociuar nga Barack Obama për kufizimin e programit bërthamor iranian dhe e anuluar më vonë nga vetë Trump.
Objektivi më realist për Uashingtonin mund të jetë një marrëveshje e përkohshme që do të siguronte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit në këmbim të një armëpushimi më afatgjatë, i cili me kalimin e kohës mund të shndërrohej në paqe të qëndrueshme. Për ta arritur këtë, do të nevojiten stimuj ekonomikë, ndërsa kërcënimi i forcës ushtarake do të vazhdojë të mbetet pjesë e ekuacionit.
Një marrëveshje e tillë do të ishte e brishtë dhe jo veçanërisht e favorshme për prestigjin amerikan. Megjithatë, sipas analizës së revistës britanike The Economist, ajo do të ishte alternativa më pak e dëmshme krahasuar me skenarët e tjerë të mundshëm. Pavarësisht ambicieve të Trumpit për ta paraqitur konfliktin si një fitore historike, lufta kundër Iranit ka pasur një kosto të konsiderueshme për Shtetet e Bashkuara.
Lini një Përgjigje