Mykhailo Fedorov, 35 vjeç, një nga figurat më të njohura të reformave teknologjike në Ukrainë, ishte ministri i fundit që kishte shërbyer në të gjitha qeveritë e drejtuara nga presidenti Volodymyr Zelensky. Ai konsiderohej një nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentit që prej fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2019.
Parlamenti ukrainas pritet të votojë për zëvendësimin e tij me ministrin e Brendshëm, Ihor Klymenko, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse Fedorov do të marrë një rol tjetër në kabinetin qeveritar.
Mbështetësit e tij vlerësojnë kontributin në ndryshimin e balancës së luftës në favor të Ukrainës, veçanërisht përmes zgjerimit të përdorimit të dronëve dhe angazhimit për të kufizuar përdorimin e paautorizuar nga Rusia të sistemit satelitor Starlink.
Nga ana tjetër, përpjekjet për reformimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të forcave të armatosura sollën përplasje me komandantin e ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrskyi. Gjithashtu, ai nuk arriti të zgjidhte problemet e kahershme që lidhen me sistemin e rekrutimit ushtarak.
Presidenti Zelensky nuk dha një shpjegim të detajuar për largimin e tij, por deklaroi se pret "më shumë unitet" mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtuesve të ushtrisë.
Si u ngjit në politikë?
Mykhailo Fedorov lindi në Vasylivka, një qytet në jug të Ukrainës që aktualisht ndodhet nën pushtimin rus. Ai u rrit në Zaporizhzhia, një nga rajonet që sot goditet shpesh nga sulmet ruse me raketa dhe dronë.
Karrierën e nisi në fushën e marketingut, derisa u afrua nga Volodymyr Zelensky, atëherë prezantues televiziv, për të drejtuar fushatën e tij në rrjetet sociale gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019.
Strategjia digjitale u konsiderua një nga elementët që ndikoi në fitoren bindëse të Zelenskyt, i cili më pas e përfshiu Fedorovin në kabinetin e tij të parë qeveritar.
"Shteti në një telefon inteligjent"
Në moshën vetëm 28-vjeçare, Fedorov u emërua ministër i Transformimit Digjital, një ministri e krijuar rishtazi me fokus modernizimin e administratës publike.
Nën drejtimin e tij u zhvillua aplikacioni Diia, që në gjuhën ukrainase do të thotë "veprim".
Platforma u promovua me sloganin "shteti në një telefon inteligjent", duke u mundësuar qytetarëve kryerjen online të një sërë shërbimesh publike, si regjistrimi i automjeteve, procedurat për martesat, divorcet dhe dokumente të tjera administrative.
Roli në Starlink dhe luftën me dronë
Pas nisjes së pushtimit rus në shkurt 2022, Fedorov iu drejtua publikisht Elon Musk, duke kërkuar aktivizimin e rrjetit satelitor Starlink për Ukrainën.
Kërkesa u pranua dhe sot ushtria ukrainase përdor dhjetëra mijëra terminale Starlink, të cilat konsiderohen thelbësore për komunikimin në vijën e frontit.
Në shkurt të këtij viti, ai bashkëpunoi me kompaninë për të kufizuar përdorimin e paautorizuar të këtij shërbimi nga Rusia.
Që në fazat e para të luftës, Fedorov ishte ndër nismëtarët e konceptit të një "ushtrie me dronë", duke promovuar përdorimin masiv të teknologjisë në fushën e betejës.
Ministria që ai drejtonte ngriti një sistem ku ushtarët ukrainas fitonin pikë për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë dronët, nëse dokumentonin me video goditjet ndaj objektivave ruse.
Kjo skemë krijoi një bazë të gjerë të dhënash nga fronti, të cilën Fedorov e përshkroi si një "kartë" që Ukraina mund ta përdorte në negociatat me aleatët për sigurimin e më shumë ndihmës ushtarake.
Çfarë arriti si ministër i Mbrojtjes?
Në janar 2026, Fedorov mori drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, duke premtuar modernizimin e institucionit përmes përdorimit të teknologjisë dhe analizës së të dhënave.
Në atë kohë, ministria përballej me kritika të vazhdueshme për skandale korrupsioni dhe probleme në administrimin e luftës.
Ai prezantoi një strategji që synonte dobësimin e kapaciteteve ushtarake ruse, kufizimin e sulmeve ajrore dhe goditjen e ekonomisë së Moskës.
Megjithatë, nuk arriti të paraqiste reformat e premtuara për sistemin e rekrutimit ushtarak dhe për ta bërë atë më transparent e më të drejtë.
Fedorov njoftoi ndryshime në kontratat e shërbimit për ushtrinë ukrainase, e cila numëron rreth një milion pjesëtarë, si dhe premtoi rritje pagash, veçanërisht për ushtarët e këmbësorisë.
Megjithatë, një pjesë e ushtarëve aktivë kritikuan këto masa, duke argumentuar se përfitimet favorizonin më shumë rekrutët e rinj sesa ata që kishin vite në shërbim.
Ndërkohë, shumë nga vullnetarët që iu bashkuan ushtrisë në fillim të luftës vazhdojnë të kenë mundësi të kufizuara për t'u larguar nga shërbimi, përveç rasteve kur pësojnë plagosje të rënda.
Lini një Përgjigje