Izraeli ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore në periferinë jugore të Bejrutit, vetëm pak orë pasi raportoi për sulme të kryera nga Hezbollahu ndaj territorit të tij në veri.
Sulmi i fundit izraelit në periferinë jugore të Bejrutit rrezikon të komplikojë përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që do t'i jepte fund luftës, në një kohë kur negociatat mes palëve vijojnë mes tensioneve në rritje.
Një nga negociatorët kryesorë të Iranit Mohammad-Bagher Ghalibaf, i cili njëkohësisht mban postin e kryetarit të Parlamentit iranian, deklaroi se SHBA-ja ose nuk ka vullnetin, ose nuk ka aftësinë për të përmbushur angazhimet e saj. Ai reagoi pas sulmit izraelit në Bejrut, duke kritikuar si Izraelin, ashtu edhe Uashingtonin për lejimin e tij.
Ghalibaf ka qenë aktiv në rrjetet sociale gjatë gjithë konfliktit. Ai publikoi një mesazh në platformën X ku argumentoi se SHBA-ja dhe Izraeli po ndjekin një strategji të njohur si “polici i mirë dhe polici i keq”, të cilën e cilësoi të tejkaluar. Sipas tij, sulme të tilla vënë në pikëpyetje angazhimet amerikane në kuadër të përpjekjeve diplomatike.

Ai shkroi se: "Sulmi i sionistëve në Dahiyeh ka treguar edhe një herë se Amerika ose nuk ka vullnetin për të përmbushur angazhimet e saj, ose nuk ka aftësinë për ta bërë këtë. Duke i dhënë dritën jeshile këtij regjimi, nuk mund të siguroni lëshime. Loja e policit të keq dhe policit të mirë është e vjetëruar. Nëse nuk keni vullnetin dhe aftësinë për të përmbushur angazhimet tuaja, nuk mund të flitet për vazhdimin e këtij procesi”.
Raportimet e ditëve të fundit kanë treguar se SHBA-ja është përpjekur ta lërë Libanin jashtë një marrëveshjeje për përfundimin e luftës me Iranin. Megjithatë, udhëheqësit iranianë kanë këmbëngulur se Libani duhet të përfshihet në çdo marrëveshje, me qëllim ndalimin e sulmeve izraelite kundër Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Teherani në këtë vend.
Edhe zëvendëskomandanti i komandës së përbashkët ushtarake të Iranit reagoi ndaj sulmeve izraelite. Sipas mediave shtetërore iraniane, ai deklaroi se “krimet” e Izraelit nuk do të mbeten pa përgjigje.
Ndërkohë, sipas një gazetari të portalit Axios, Izraeli e kishte njoftuar ushtrinë amerikane në rajon pak para se të ndërmerrte sulmin ndaj periferisë së Bejrutit./ Përshtati "Pamfleti" nga "Sky News".
Lini një Përgjigje