Donald Trump ka rikthyer edhe një herë kritikat ndaj NATO-s, duke shprehur zhgënjimin e tij për aleancën. Megjithatë, qëndrimi kritik i presidentit amerikan ndaj organizatës nuk është i ri. Marrëdhënia e tij me NATO-n ka qenë prej vitesh e tensionuar, duke bërë që çdo samit i aleancës të shoqërohet me përpjekje për të ruajtur angazhimin e Uashingtonit.
Si fuqia më e madhe ushtarake dhe kontribuesi kryesor financiar i NATO-s, Shtetet e Bashkuara e kanë përdorur historikisht aleancën si një instrument të rëndësishëm të politikës së tyre globale. Trump, nga ana tjetër, ka vënë vazhdimisht në dyshim të ardhmen e rolit amerikan në NATO, duke argumentuar se vendet evropiane nuk po kontribuojnë mjaftueshëm në mbrojtjen e përbashkët dhe duke shprehur pakënaqësi për mungesën e mbështetjes ndaj politikave të tij të jashtme.
"NATO është e vjetëruar"
Pak para se të merrte detyrën për herë të parë në vitin 2017, Trump deklaroi se NATO kishte "probleme serioze". "E kam thënë prej kohësh se NATO ka probleme. Së pari, është e vjetëruar, sepse është krijuar shumë vite më parë. Së dyti, shumë vende nuk po paguajnë atë që duhet të paguajnë", u shpreh ai.
Përplasjet arritën kulmin gjatë samitit të NATO-s në qershor të vitit 2018. Sipas 'Reuters', pas dyerve të mbyllura Trump paralajmëroi se SHBA-të mund të "ndiqnin rrugën e tyre" nëse aleatët nuk rrisnin kontributet financiare. Megjithatë, në fund të samitit ai deklaroi se vendet anëtare kishin rënë dakord të shtonin ndjeshëm angazhimet e tyre.
Deklaratat për Rusinë
Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, Trump riktheu polemikat duke vënë në dyshim gatishmërinë e SHBA-ve për të mbrojtur aleatët që nuk përmbushin detyrimet financiare.
Ai deklaroi se do ta inkurajonte Rusinë të "bënte çfarë të donte" me vendet e NATO-s që, sipas tij, nuk "paguanin faturat e tyre". Më pas, Trump refuzoi përkohësisht të përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të marrë kontrollin e Groenlandës, territor që i përket Danimarkës, një prej vendeve anëtare të NATO-s.
Pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, liderët evropianë kërkuan një kompromis me administratën e re amerikane për rritjen e objektivit të shpenzimeve të mbrojtjes. Si rezultat, u arrit një marrëveshje që e çon objektivin në 5% të PBB-së, ku 3.5% do të dedikohet për shpenzime ushtarake dhe 1.5% për investime në infrastrukturë dhe kapacitete mbështetëse.
"Një tigër letre"
Pavarësisht kompromisit, marrëdhëniet mbetën të tensionuara. Trump kritikoi sërish aleancën pasi vendet anëtare refuzuan të mbështesnin hapjen me forcë të Ngushticës së Hormuzit, e cila u bllokua nga Irani pas sulmeve amerikane.
Në një intervistë për 'The Telegraph', presidenti amerikan e cilësoi NATO-n si "një tigër letre".
Në një tjetër reagim në rrjetet sociale, ai shkroi se "SHBA-të nuk kanë nevojë për asgjë nga NATO", duke u bërë thirrje ndjekësve të tij që të "mos e harrojnë kurrë" këtë fakt./ Përshtati "Pamfleti" nga "Sky News".
Lini një Përgjigje