
Pas ultimatumit të presidentit amerikan Donald Trump dhe sinjaleve për ulje të tensioneve në rajon, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli nuk do të ndërmarrë sulme të tjera ndaj Iranit.
Megjithatë, ai pretendoi se operacionet ushtarake izraelite kanë ndikuar drejtpërdrejt në ndalimin e sulmeve nga Hezbollahu.
Sipas Netanyahut, grupi militant libanez, i mbështetur nga Teherani, ka ndërprerë shkëmbimet e zjarrit me Izraelin pasi ka parë fuqinë e operacioneve izraelite kundër Iranit.
“Të shtënat kanë ndaluar sepse pasi panë atë që bëmë në Iran, ata ndaluan së na sulmuari”, deklaroi kryeministri izraelit.
Netanyahu e cilësoi Hezbollahun si më të dobët se kurrë më parë, duke argumentuar se presioni ushtarak i ushtruar nga Izraeli ka ndryshuar ekuilibrat në rajon.
Megjithatë, ai theksoi se ushtria izraelite mbetet në gatishmëri të plotë dhe paralajmëroi se çdo sulm i mundshëm nga Hezbollahu do të përballet me kundërpërgjigje të fortë.
“Nëse ata na sulmojnë, ne do të hakmerremi me forcë, sepse Izraeli ka të drejtë të plotë për vetëmbrojtje”, u shpreh Netanyahu.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur përpjekjet diplomatike për të ruajtur armëpushimin dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme vijojnë të jenë në fokus të komunitetit ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje