TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Prill 2026, 13:52

Përçarjet brenda regjimit iranian po ndikojnë në luftën e nervave me Amerikën

Shkruar nga Tatiana Boutourline
Përçarjet brenda regjimit iranian po ndikojnë në
JD Vance

Teherani shtyn afatet, përgënjeshtron dhe më pas lë të kuptohet se do lëshojë disi. Qëllimi: ta detyrojë Uashingtonin të zbulojë i pari letrat. Prapa teatrit diplomatik, qëndron përplasja e brendshme mes“skifterëve” të lidhur me Pasdaranët, kundër çdo lloj hapjeje, dhe realistëve që druhen nga kolapsi ekonomik dhe shtyjnë për një marrëveshje.

Në zemër të regjimit teokratik iranian, po zhvillohet një përplasje e ashpër për kontrollin e pushtetit, e theksuar nga mungesa e një udhëheqësi karizmatik që mund të bashkojë fraksionet e ndryshme.

Në këtë fazë, Mohammad Ghalibaf luan rolin e drejtuesit operativ, por vendimet përfundimtare duken të paqarta dhe të fragmentuara për shkak të shumë zërave që garojnë për ndikim.

Ditët e fundit, ndërsa u anulua një fluturim direkt nga Teherani në Islamabad, kryetari i parlamentit iranian dhe në krye të delegacionit negociator me SHBA-në, bëri një provokim ndaj presidentit amerikan Donald Trump në X, duke e modifikuar sloganin amerikan.

Ai shkroi: “Do ta shesin luftën si justifikim për ta bërë sërish të madhe çfarë?”, duke shtrembëruar sloganin e famshëm “Make America Great Again”. Një burim pranë negociatave shpjegoi: “Ne nuk do të nisemi për në Islamabad derisa të ndryshojnë kushtet në tryezë”, duke theksuar qëndrueshmërinë e ekipit iranian, i cili vazhdon t’i kundërvihet Shteteve të Bashkuara në mënyrë të bashkuar dhe të vendosur, duke krijuar një mur të vështirë për t’u kapërcyer.

Përçarje të brendshme

Por ashpërsia e qëndrimeve iraniane nuk buron vetëm nga vetëdija e të pasurit në dorë të levës strategjike të Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për kalimin e naftës globale, por ushqehet edhe nga përçarjet e thella të brendshme që kanë tronditur regjimin pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei.

Nga njëra anë janë grupet radikale, shpesh ushtarake ose të lidhura me Gardën Revolucionare dhe liderin e tyre Ahmad Vahidi. Nga ana tjetër janë më pragmatikët si vetë Ghalibaf dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, figura kyçe të delegacionit negociator, të cilët besojnë fort te dialogu si rruga e vetme për të shmangur kolapsin ekonomik dhe izolimin përfundimtar të vendit.

Dikur këto përplasje mbeteshin brenda mureve të pushtetit. Sot ato shfaqen hapur përmes mediave sociale, televizioneve dhe agjencive të lajmeve. Për shembull, kur Araghchi njoftoi rihapjen e përkohshme të Ngushticës, një zgjidhje që zgjati vetëm disa orë, Tasnim, media e lidhur me Pasdaranët, e kritikoi menjëherë duke e akuzuar për një gjuhë tepër pajtuese dhe të butë ndaj kundërshtarit.

Diçka e ngjashme ndodh edhe me Ghalibaf, shpesh shënjestër jo vetëm të presioneve amerikane, por edhe të sulmeve të brendshme nga vetë aleatët e tij, të gatshëm ta godasin në gabimin më të vogël.

Një udhëheqje e munguar

Kjo luftë për pushtet në majat e regjimit, ngadalëson ndjeshëm vendimet e rëndësishme të Teheranit. Boshllëku i lënë nga mungesa e një Udhëheqësi Suprem karizmatik dhe plotësisht të pranuar, rëndon shumë mbi procesin vendimmarrës, duke e bërë edhe më të vështirë menaxhimin me kohezion dhe shpejtësi të krizave të brendshme dhe të jashtme.

Republika Islamike mbështetet historikisht në figurën e Udhëheqësit Suprem, një rol i cili që nga 8 marsi mbahet nga Mojtaba Khamenei. Megjithatë, lideri i ri ende nuk është shfaqur publikisht. I plagosur në një bombardim që shkaktoi vdekjen e të atit, Ali Khamenei, ai komunikon vetëm përmes mesazheve në Telegram.

Kjo mungesë ka krijuar një vakuum pushteti që rrezikon të destabilizojë gjithë sistemin politik të vendit. Aktualisht, Mohammad Bagher Ghalibaf vepron si drejtues operativ dhe figura kryesore në prapaskenë e regjimit të ri, duke udhëhequr dinamikat e kësaj faze tranzicioni.

Megjithatë, siç thekson Paul Salem, ekspert i Middle East Institute, Ghalibaf nuk është “shefi” i vërtetë i sistemit. Struktura politike iraniane vazhdon të dominohet nga Udhëheqësi Suprem, rol që në dekadat e kaluara është mbajtur nga figura si themeluesi Ruhollah Khomeini dhe pasuesi i tij Ali Khamenei, që të dy të aftë të impononin një lidership të fortë dhe të pranuar.

Sot, Mojtaba Khamenei nuk ka arritur ende të ketë të njëjtën peshë politike. Dominimi tradicional fetar i pushtetit, po humbet terren përballë një ndikimi ushtarak në rritje, ku uniformat peshojnë më shumë se petkat fetare.

Ky evolucion, po shoqërohet me përplasje të brendshme që rrezikojnë ta nxjerrin sistemin nga binarët. Sipas Salem, vetëm liderët e fortë mund të bëjnë lëshime konkrete. Dhe në Iran kjo forcë nuk është më e përqendruar te një person i vetëm, duke krijuar kështu shumë zëra dhe vendime të fragmentuara.

Një kontrast i fortë me situatën në Shtetet e Bashkuara, ku pushteti është kryesisht i përqendruar rreth Donald Trumpit. Në praktikë ata përballen me një komandë vertikale e centralizuar dhe një sistem me lidership të shpërndarë.

Përplasje të brendshme dhe kontrolli i pushtetit

Përçarjet e brendshme në Iran, nuk duhen parë vetëm si një përplasje ideologjike mes atyre që janë pro dhe kundër negociatave. Që të dy kampet janë shumë ideologjike. Në Teheran, beteja e vërtetë ka të bëjë me kontrollin e pushtetit.

Radikalët synojnë që ta dobësojnë Ghalibaf-in në sytë e bazës së tyre politike, por nuk është e sigurt se figura si Vahidi që mund ta zëvendësojnë atë, do ta refuzonin automatikisht një marrëveshje me Trumpin.

Akuzat e ndërsjella, shërbejnë për të forcuar besnikëritë e brendshme, në mënyrë të ngjashme me atë që ndodh me Trump dhe elektoratin e tij MAGA. Në realitet, në Iran nuk ka pasur një ndryshim regjimi, por vetëm një rinovim të brendshëm të vetë regjimit.

Me ardhjen në pushtet të figurave të reja që synojnë të rishkruajnë rregullat e politikës kombëtare, është mbushur shumë shpejt boshllëku i lënë nga udhëheqja e vjetër.

Disa nga këta protagonistë i përkasin një brezi që dikur e kritikonte Ali Khamenei për palëvizshmërinë e tij politike. Sot ata e shohin këtë fazë si një mundësi për të promovuar vizionin e tyre dhe për t’u lidhur me një kohë të re, ku Republika Islamike rreshtohet me ambiciet e tyre./ Përshtati "Pamfleti" Nga  “Il Foglio”

regjimi iranian

Lini një Përgjigje