
Pahlavi kritikon armëpushimin SHBA–Iran dhe u bën thirrje vendeve evropiane të mbështesin më shumë popullin iranian
Gjatë një aktiviteti në Berlin, një protestues hodhi një lëndë të kuqe mbi princin në mërgim të Iranit, Reza Pahlavi. Ky i fundit nuk reagoi me shqetësim të dukshëm, përshëndeti mbështetësit e tij dhe u largua nga vendi me automjet.
Në një konferencë për shtyp në kryeqytetin gjerman, Pahlavi kritikoi armëpushimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ai argumentoi se marrëveshja mbështetet në supozimin se qeveria iraniane do të ndryshojë qasje dhe se Uashingtoni do të përballet me aktorë më realistë.
“Nuk shoh që kjo të ndodhë,” deklaroi ai, duke shtuar se diplomacisë duhet t’i jepet një mundësi, por sipas tij, janë dhënë tashmë mjaft të tilla.
Pahlavi, i cili prej dekadash jeton në mërgim, ka shprehur ambicie për të luajtur rol në të ardhmen politike të Iranit në rast të rënies së regjimit aktual teokratik. Ai gjithashtu ka mbështetur ndërhyrjen ushtarake amerikano-izraelite në Lindjen e Mesme.
Reza Pahlavi wurde vor der Bundespressekonferenz soeben von einem Aktivisten mit Farbe attackiert pic.twitter.com/m9eWmmEqgb
— Tilo Jung (@TiloJung) April 23, 2026
Gjatë deklaratave të tij, ai u bëri thirrje vendeve evropiane të shtojnë mbështetjen për qytetarët iranianë që kërkojnë demokraci. Sipas tij, gjatë dy javëve të fundit autoritetet iraniane kanë ekzekutuar 19 të burgosur politikë, ndërsa 20 të tjerë janë dënuar me vdekje.
“Do të veprojë bota e lirë apo do të vazhdojë të shohë në heshtje këtë situatë?”, u shpreh ai.
Reza Pahlavi ndodhet në mërgim prej afro 50 vitesh. Babai i tij, Shah i Iranit, u rrëzua nga pushteti në vitin 1979 pas protestave masive popullore. Megjithatë, Pahlavi vijon përpjekjet për t’u pozicionuar si faktor në të ardhmen e vendit të tij.
Lini një Përgjigje