
Mbi 40 persona u përfshinë në konflikt; dëshmitarët përmendin mosmarrëveshje financiare si shkak të mundshëm
Një përleshje e dhunshme mes më shumë se 40 personave në një gurdwara (tempull Sikh) në qytetin Moers të Gjermanisë përfundoi me të paktën 11 të plagosur dhe një operacion të madh policor, ku u angazhuan edhe njësi speciale.
Sipas gazetës Bild, ngjarja ndodhi të dielën në Gurdwara Singh Sabha, në landin e Nordrhein-Westfalen. Raportimet tregojnë se pjesëmarrësit përdorën spraj piper, thika, kirpan (armë tradicionale e besimtarëve Sikh) dhe, sipas disa burimeve, edhe një armë zjarri.
Autoritetet gjermane nuk kanë konfirmuar ende shkakun e saktë të konfliktit. Megjithatë, dëshmitarët kanë deklaruar për Bild se përplasja mund të ketë lindur nga mosmarrëveshje mbi çështje financiare dhe menaxhimin e tempullit.
Sipas të njëjtave burime, përleshja nisi pasdite dhe u përshkallëzua shpejt. Një grup dyshohet se ndërmori një sulm të koordinuar, duke përdorur fillimisht spraj piper për të çorientuar kundërshtarët dhe më pas mjete të tjera të dhunshme.
Një dëshmitar 56-vjeçar i tha Bild se sulmi dukej i planifikuar: ai deklaroi se pak para lutjes, disa persona përdorën spraj piper dhe një prej tyre qëlloi me armë zjarri, ndërsa në vendngjarje u panë edhe thika.
Gurdwara është vendi i adhurimit për besimtarët Sikh dhe shërben si qendër fetare dhe komunitare. Fjala nënkupton “porta drejt Gurusë”.
Policia vazhdon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të incidentit.
Lini një Përgjigje