Burime të transportit detar dhe të sigurisë thanë se forcat amerikane kanë devijuar disa anije iraniane pranë Indisë, Malajzisë dhe Sri Lankës, ndërsa tensionet në rajon vijojnë pavarësisht armëpushimit të brishtë...
Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka ndaluar të paktën tre cisterna me flamur iranian në ujërat aziatike dhe po i largon ato nga pozicionet e tyre pranë Indisë, Malajzisë dhe Sri Lankës, thanë të mërkurën burime të transportit detar dhe të sigurisë për Reuters.
Sipas të njëjtave burime, Uashingtoni ka vendosur një bllokadë ndaj tregtisë detare të Iranit, ndërsa Irani ka qëlluar ndaj anijeve për të penguar kalimin e tyre nëpër Ngushticën e Hormuzit, korridori detar në hyrje të Gjirit. Gati dy muaj pasi SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit, nuk ka shenja të qarta për rifillimin e bisedimeve të paqes, megjithëse në fuqi mbetet një armëpushim i pasigurt.
Mbyllja e ngushticës ka ndërprerë furnizimin me rreth një të pestën e naftës dhe gazit në botë dhe ka nxitur një krizë globale energjetike. Ditët e fundit, forcat amerikane kanë sekuestruar një anije mallrash iraniane dhe një cisternë nafte. Nga ana tjetër, Irani njoftoi se kishte kapur dy anije kontejnerësh që po përpiqeshin të dilnin nga Gjiri përmes Ngushticës së Hormuzit, pasi hapi zjarr ndaj tyre dhe një mjeti tjetër lundrues. Këto janë sekuestrimet e para të tilla që nga nisja e luftës.
Reuters raportoi, duke cituar dy burime amerikane dhe indiane të transportit detar, si edhe dy burime perëndimore të sigurisë detare, se SHBA-ja ka devijuar të paktën edhe tre cisterna të tjera iraniane ditët e fundit.
Ushtria amerikane nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi këto ndërhyrje.
Një prej anijeve ishte supercisterna Deep Sea, me flamur iranian, e ngarkuar pjesërisht me naftë bruto. Sipas burimeve dhe të dhënave të gjurmimit në platformën MarineTraffic, ajo është parë për herë të fundit një javë më parë pranë brigjeve të Malajzisë.
Edhe cisterna më e vogël Sevin, me kapacitet maksimal prej 1 milion fuçi dhe me rreth 65% të ngarkesës në bord, është ndaluar. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se ajo është parë për herë të fundit pranë Malajzisë një muaj më parë.
Po ashtu është ndaluar edhe supercisterna Dorena, gjithashtu me flamur iranian, e ngarkuar plotësisht me 2 milionë fuçi naftë bruto. Sipas burimeve dhe të dhënave të MarineTraffic, ajo është parë për herë të fundit tre ditë më parë pranë brigjeve të Indisë jugore.
Komanda Qendrore e SHBA-së tha të mërkurën në një postim në platformën X se Dorena po shoqërohet në Oqeanin Indian nga një destrojer i Marinës amerikane, pasi kishte tentuar të shkelte bllokadën.
Burime të transportit detar thanë se forcat amerikane mund të kenë ndaluar edhe cisternën iraniane Derya. Kjo anije nuk arriti të shkarkonte ngarkesën e saj me naftë iraniane në Indi përpara se të skadonte të dielën përjashtimi amerikan për blerjet e naftës bruto nga Irani. Sipas të dhënave të MarineTraffic, ajo është parë për herë të fundit të premten pranë bregut perëndimor të Indisë.
Komanda Qendrore e SHBA-së deklaroi po të mërkurën se, që nga fillimi i bllokadës ndaj anijeve që hyjnë ose dalin nga portet iraniane, forcat amerikane kanë urdhëruar 29 mjete lundruese të kthehen pas ose të rikthehen në port.
Ushtria amerikane nuk ka publikuar listën e plotë të anijeve që ka ndaluar dhe nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment lidhur me Derya dhe Deep Sea.
Një burim i tretë i sigurisë detare tha për Reuters se ushtria amerikane po synon anijet iraniane larg Ngushticës së Hormuzit dhe në ujëra të hapura, për të shmangur rrezikun nga minat lundruese gjatë operacioneve. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje