Mes 5 të arrestuarve në Dubai edhe Merxhan Çeliku, pjesë e grupit të Amant Josifit...
Pesë persona të shpallur në kërkim nga SPAK kanë rënë në pranga këtë të hënë në Dubai, mes tyre edhe Merxhan Çeliku, një nga emrat e lidhur me skemën gjigante të mashtrimit përmes “call center”-ave që zhvati miliona euro nga qytetarë europianë.
Por ndërsa bashkëpunëtorët e grupit po arrestohen njëri pas tjetrit, emri kryesor i dosjes, Amant Josifi, vijon të mbetet i lirë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një histori që po ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën si është trajtuar çështja nga Prokuroria e Posaçme.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se Merxhan Çeliku konsiderohet pjesë e grupit të drejtuar nga Amant Josifi, ish-këshilltar i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, si dhe ish-ortak biznesi i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama.
Skandali bëhet edhe më i madh për faktin se, ndonëse Amant Josifi konsiderohet nga autoritetet europiane si një nga organizatorët kryesorë të perandorisë së mashtrimit me “call center”-a, SPAK nuk rezulton të ketë shpallur ndaj tij urdhër kërkimi ndërkombëtar.
Ndërkohë, ndaj tij ka pasur hetime intensive nga autoritetet gjermane dhe spanjolle, të cilat e konsiderojnë si një nga drejtuesit kryesorë të kompanisë famëkeqe “Milton Group”, e cila dyshohet se ngriti një rrjet ndërkombëtar mashtrimi online në disa vende të Europës.
Sipas hetimeve të përbashkëta të “Eurojust”, “Europol” dhe autoriteteve gjermane, grupi përdorte platforma mashtruese investimi si “AurumPro”, “Finaxis”, “AGMarkets”, “CapitalMarketsBanc” dhe “Cryptokartal”, përmes të cilave mijëra qytetarë europianë bindeshin të investonin para që më pas zhdukeshin.
Vetëm në landin e Bavarisë në Gjermani, dëmi i dokumentuar nga autoritetet arrin në miliona euro. Për platformën “AurumPro”, “Finaxis” dhe “AGMarkets” dëmi përllogaritet në 1.8 milionë euro, ndërsa për “CapitalMarketsBanc” në rreth 1.6 milionë euro.
Hetimet zbuluan se një pjesë e rëndësishme e aktivitetit kriminal zhvillohej nga Shqipëria, ku operonin disa “call center”-a në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë.
Në operacionin ndërkombëtar “Frida-Refox”, të zhvilluar në nëntor 2022, autoritetet kontrolluan disa qendra telefonike dhe sekuestruan para cash, portofole kriptovalutash, karta bankare dhe dokumente identifikimi të shtetasve të huaj.
Nga hetimet rezultoi se kompania “Puma TS”, e lidhur me Amant Josifin dhe gjeorgjianin Mikheil Biniashvili, i njohur si “Mishka”, kishte rol kyç në krijimin e softuerëve të përdorur për mashtrimin online.
Sipas dosjes hetimore, Merxhan Çeliku kishte komunikime të drejtpërdrejta me viktimat në Austri dhe Gjermani përmes platformave mashtruese. Hetuesit gjermanë arritën të provojnë lidhjet përmes adresave IP, llogarive bankare dhe transfertave në kriptomonedha.
Në dosje përmenden edhe emra të tjerë shqiptarësh, mes tyre Irisa Puca, Adrian Korriku, Endri Bulku dhe Erlind Çekaj, të cilët dyshohet se kishin rol në zhvillimin e sistemeve kompjuterike që mbanin në funksion skemën e mashtrimit.
Autoritetet gjermane e kanë klasifikuar grupin si organizatë kriminale të nivelit të lartë, me aktivitet të shtrirë në Shqipëri, Gjeorgji, Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, Amant Josifi vijon të jetojë në Dubai, ku po përpiqet t’i shmanget ekstradimit drejt Spanjës. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar llogari bankare dhe asete me vlerë mbi 2.2 milionë euro dhe miliona lekë të lidhura me të dhe familjarët e tij.
Megjithatë, edhe pse konsiderohet “truri” i skemës së mashtrimit që tronditi Europën, ai mbetet jashtë prangave të drejtësisë shqiptare, ndërsa njerëzit e rrjetit të tij po arrestohen njëri pas tjetrit. /Pamfleti
I madhi ka kasen e parave qe do te paguaje.
Cdreqin behet kur kokat e m mbeten jashte e negociojne me super vjedhjet dhe keta bashkepunetoret e tjere ngelin brenda? Si do ushqehen njerezia? Apo dy hapa para tre mbrapa ngecin ne burg