TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë30 Korrik 2025, 16:40

Vendimi i Kushtetueses dhe alarmi mes të korruptuarve: SPAK makth për zyrtarët, ka sekuestruar afro 1.500 celularë

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i Kushtetueses dhe alarmi mes të korruptuarve: SPAK makth për

Statistikat, ja si SPAK ka 5-fishuar sekuestrimin e celularëve

Gjykata Kushtetuese mori dje një vendim, i cili shënon përplasjen e radhës mes kësaj gjykate dhe Prokurorisë së Posaçme.

Çështja e përgjimeve të SkyEcc shkaktoi përplasje mes dy organeve, pasi SPAK vuri nën përgjim një prej anëtarëve të gjykatës, duke dyshuar për afera korrupsioni. Raportet u krisën dhe Kushtetuesja ka marrë disa vendime kundër SPAK. I pari ishte ai për gazetarin Elton Qyno dhe i dyti u mor dje.

Një qytetare u ankua se i kishin sekuestruar celularin pa të drejtë, pasi ajo nuk ishte fare objekt hetimi. Të tria shkallët e gjyqësorit i dhanë të drejtë SPAK-ut, por Onejda Ymeraj iu drejtua Kushtetueses, e cila dje vendosi të fusë në shina praktikën që ndjek SPAK.

Sipas këtij vendimi, sekuestrimet duhet të bëhen me urdhër gjykate. Ndërsa për raste flagrante, celulari mund të sekuestrohet, por nuk mund të hapet pa një vendim gjykate, ku i pranishëm duhet të jetë vetë personi që i është sekuestruar. Po ashtu SPAK duhet të marrë informacione vetëm lidhur me hetimin dhe asgjë tjetër.

Por pse vjen tani ky vendim dhe çfarë do të thotë?

Vendimi vjen në një kohë kur SPAK e ka bërë sekuestrimin e celularëve praktikë kryesore pune.

Nëse shohim statistikat, nga viti 2021 kur ka nisur ky proces dhe deri në vitin 2024 kur dhe janë statistikat, kemi një 5-fishim të sekuestrimit të celularëve. Në vitin 2021 SPAK ka sekuestruar vetëm 174 celularë, por në vitin 2024 ky numër ka shkuar në 553. Në total janë sekuestruar afro 1.500 aparate në 4 vite.

Çdo vit ka pasur rritje dhe falë celularëve, SPAK ka shkuar te të paprekshmit. Rasti më i njohur është ai i Metës dhe Kryemadhit. Falë një celulari që u gjet te banesa e nënës së Kryemadhit u zbuluan shumë afera korrupsioni.
Kjo i tmerroi ministrat, deputetët, drejtorët, krerët e bashkive, zv/ministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe këdo tjetër.

Shumë nisën t’i ndërrojnë celularët duke mos mbajtur gjatë të njëjtin. Shumë të tjerë kanë përdorur platforma të kriptuara. Shumë kanë përdorur edhe metoda speciale duke i futur celularët nëpër çanta të posaçme apo duke instaluar pajisje që shmangin përgjimet.

Pra SPAK me këtë metodë i tmerroi të gjithë. Thuajse të gjithë deputetët edhe në WhatsApp kanë aktivizuar mekanizmin e asgjësimit të mesazheve. Pra të gjithë janë të trembur. Kushtetuesja duket se ndërhyri tani, por jo se pritet ta kufizojë këtë proces.

SPAK thuajse në të gjitha rastet e bujshme ka ndërhyrë me vendim gjykate. Nëse kthehemi po te Kryemadhi, edhe kjo e fundit i ndoqi shkallët e gjyqësorit për sekuestrimin e celularit, por doli që SPAK kishte vepruar korrekt. Kontrolli në banesë u bë me vendim gjykate.

Vendimi i Kushtetueses në vija të përgjithshme duket se tenton të mos lejojë SPAK të ndjekë praktika abuzive, pasi përveç vendimit të gjykatave, specifikon që të sekuestrohen vetëm materiale me interes për hetimin dhe asgjë tjetër.

Statistikat për sekuestrimin e materialeve dixhitale

2021
Për periudhën Shtator-Dhjetor 2021 kanë ardhur për ekspertim pranë këtij sektori 118 vendime ekspertimi, për 174 telefona celularë, 50 kompjutera dhe 49 prova të tjera elektronike (DVR, USB, CD/DVD, kamera/aparate fotografike dixhitale, etj). Gjatë kësaj periudhe nga ana e ekspertëve të sektorit janë realizuar 35 akte ekspertimi.

2022
Për vitin, në Sektorin e Ekspertizës janë pranuar 240 vendime ekspertimi për ekzaminimin e provave digjitale në procese hetimi apo gjykimi të ndara si më poshtë: Nga 240 vendime janë pranuar 328 aparate celularë, 59 kompjutera dhe laptopë, 11 videoregjistrues DVR, 17 USB, 3 qarqe të integruara (qark elektronike), 3 TV, 4 GPS (lokalizues vendodhjeje), 4 dronë, 46 CD/DVD, 11 tableta si dhe 14 pajisje të tjera që përfshijnë karta SIM, adapterë, magnetofon.

2023
Gjatë vitit 2023, në Sektorin e Ekspertizës janë pranuar 345 vendime ekspertimi për ekzaminim provash digjitale me 623 prova në total dhe konkretisht 407 telefona celularë, 76 kompjutera, 19 DVR dhe 121 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, video-regjistrues, tableta, karta memorie, CD/DVD, etj.).

2024
Gjatë vitit 2024 në Sektorin e Ekspertizës kanë ardhur për ekspertim 400 vendime ekspertimi për 841 prova digjitale dhe konkretisht për 553 telefona celularë dhe tabletë, 110 kompjutera, 16 DVR dhe 162 prova të tjera digjitale (hard disqe, USB, karta memorie, CD/DVD, etj.). /Pamfleti

Lini një Përgjigje