TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Shkurt 2026, 11:29

A do t’i mbijetojë monarkia britanike skandalit Epstein?

Shkruar nga Martin Ivens

 A do t’i mbijetojë monarkia britanike skandalit Epstein?

Pas arrestimit të bujshëm të Princit Andrew, institucioni më i vjetër i Britanisë përballet me një krizë të paprecedentë besueshmërie. Ndërsa mbrojtja e dikurshme e establishmentit po shkërmoqet, pyetja mbetet nëse “Firma” mund ta izolojë dëmin apo nëse hijet e Jeffrey Epstein do të njollosin përgjithmonë fronin e Mbretit Charles....

Në një moment ironie dramatike, Klaudi - xhaxhai i Princit Hamlet, i cili vrau të vëllanë për të uzurpuar fronin e Danimarkës - mburret me hipokrizi se një forcë hyjnore mbrojtëse i mban monarkët si ai larg rrezikut.

“Ekziston një hyjni e tillë që mbron mbretin!” - thotë ai. Për një kohë shumë të gjatë, Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i vogël dhe i poshtëruar i Mbretit Charles, është “mbrojtur” nga establishmenti britanik prej pasojave të veprimeve apo keqbërjeve të tij të mundshme.

Arrestimi i tij nga policia në ditëlindjen e tij të 66-të, nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës, i heq atij një nga mbrojtjet e fundit. Dhe kjo është më se e drejtë. Një nga parimet themelore të shtetit të së drejtës është se zyrtarët qeveritarë, politikanët, madje edhe princat, nuk janë imunë ndaj ligjit.

Nuk mund të ketë përjashtime nga maksima ligjore e cituar prej shekujsh nga gjyqtarët britanikë: “Sa do lart që të jeni, ligji është mbi ju!”. Një akuzë zyrtare ose një proces gjyqësor nuk vjen automatikisht pas një arrestimi.

Një parim tjetër bazë është supozimi i pafajësisë derisa të vërtetohet e kundërta. Megjithatë, kjo ia bën të qartë Andrew-t se ai nuk mund të fshihet më pas të pavërtetave rreth marrëdhënies së tij me Jeffrey Epstein. Një miqësi që vazhdoi edhe pasi financieri u dënua dhe u burgos për krime seksuale me të mitur.

Publikimi i dosjeve të Epstein në SHBA, e ka shkatërruar rrëfimin e deformuar të Andrew mbi këtë miqësi. Kjo ngre dyshime serioze mbi vërtetësinë e fjalëve të tij në intervistën famëkeqe për BBC, ku ai mohoi kategorikisht marrëdhëniet seksuale me Virginia Giuffre, asokohe e mitur e siguruar nga Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell.

Pasojat e një dëshmie të rreme ligjore për Andrew-n do të ishin katastrofike. “Kupa e mjerimit” për Andrew po mbushet. Akuzat e reja që rrjedhin nga dosjet Epstein sugjerojnë se ai i ka dërguar raporte konfidenciale financierit gjatë kohës që shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.

Policia ka kontrolluar si ish-shtëpinë e tij në Windsor, ashtu edhe rezidencën e tij të re në Norfolk. Ish-kryeministri Gordon Brown ka kërkuar gjithashtu një hetim mbi rolin e Andrew si bashkëpunëtor ose dëshmitar në përdorimin e aeroporteve Stansted dhe Luton nga Epstein për trafikimin e grave dhe vajzave.

Së fundmi, kam shkruar se të metat e një tjetër miku të famshëm të Epstein - Peter Mandelson - ishin të njohura shumë kohë përpara se emërimi i tij si ambasador në Uashington të përfundonte në një skandal të parashikueshëm.

Megjithatë, establishmenti laburist vendosi t’i mbyllte sytë. Po kështu, u fshehën nga sytë e publikut për vite me radhë dhe u injoruan edhe veset e Andrew. Në vitin 2007, kur punoja për Sunday Times, zbuluam se një oligark kazak kishte blerë ish-shtëpinë e princit në Sunninghill Park për 3 milionë paund mbi çmimin e kërkuar, ose rreth 7 milionë paund mbi vlerën e tregut.

Andrew, i emëruar si i dërguar tregtar nga Tony Blair (për t’i bërë qejfin Mbretëreshës Elizabeth II), ishte bërë mbrojtës i Shoqërisë Britaniko-Kazake në krah të diktatorit Nursultan Nazarbayev.

Më vonë ajo shitje, u lidh me një skemë pastrimi parash, por në atë kohë Andrew refuzoi të jepte shpjegime për fatin e tij të papritur financiar. Pak pas atij shkrimi, një ndërmjetës më ftoi në një darkë për të takuar Princin.

Ishte një ftesë që e refuzova me lehtësi. Por oborrtarët e Pallatit Buckingham, kryeministrat dhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, të detyruar të punonin me të, nuk u treguan aq të kujdesshëm. Respekti ndaj nënës së tij, një ikonë botërore, ishte në qendër të kësaj tolerance.

Kush po e mbikëqyrte kufirin mes detyrave zyrtare të Andrew dhe interesave të tij financiare? Sot pretendohet se qasja e tij te liderët dhe financierët e huaj mund t’i ketë shërbyer edhe interesave të Epstein.

Disa nëna janë të verbëra ndaj gabimeve të fëmijëve të tyre, dhe Andrew ishte i preferuari i Mbretëreshës. Kur Giuffre e paditi në Nju Jork për sulm seksual, Mbretëresha siguroi 7 milionë paund për marrëveshjen jashtëgjyqësore prej 12 milionësh, ndërsa pjesa tjetër u plotësua nga pasuria e bashkëshortit të saj.

Andrew i mohoi me forcë akuzat atëherë, dhe vazhdon t’i mohojë edhe sot. Kryeministri Keir Starmer, mandati i të cilit po lëkundet pas disa emërimeve skandaloze, është mjaft i ndjeshëm ndaj akuzave për tolerimin e një “klubi djemsh” në Downing Street.

Ai nuk do të ofrojë asnjë mbrojtje. Madje edhe vëllai i Andrew, Mbreti Charles, ka deklaruar se “ligji duhet të ndjekë rrugën e vet”. A mund t'i mbijetojë monarkia këtij skandali? Cinikët do të thonë se dëmi është i madh, por jo fatal.

Monarkia i ka mbijetuar skandaleve për shekuj me radhë. Kujtimi i “xhaxhallarëve të këqij” të Mbretëreshës Viktoria, u fshi shpejt nga martesa e saj e virtytshme me Princin Albert.

Dashuria e Eduardit VII për aktoret nuk e dëmtoi institucionin, dhe abdikimi i Eduardit VIII në vitin 1936 për t’u martuar me një grua të divorcuar amerikane, thjesht i dhuroi botës një histori joshëse dashurie mbretërore.

Edhe dështimi i martesës përrallore të Charles dhe Dianës, vetëm sa e shtoi vëmendjen ndaj institucionit që njerëzit e brendshëm e quajnë Kurora. Në çdo legjendë mbretërore, përfshirë Hamletin, duhet të ketë një “xhaxha të lig” që nxjerr në pah virtytet e pasardhësve të mirë.

Veset e Andrew-t krijojnë një kontrast të përsosur me imazhin e rafinuar të Princit William dhe Kate Middleton. Walter Bagehot, autoriteti i madh i kushtetutës britanike, paralajmëroi dikur se ekspozimi i tepërt i monarkisë do të “lëshonte dritën e diellit mbi magjinë”.

Ai nuk parashikoi se etja e publikut për një “kokë turku” si Andrew, mund të bëhej pjesë thelbësore e kësaj shfaqjeje. Megjithatë, ky skandal mund të jetë ndryshe. Mund të mësojmë më shumë rreth lidhjeve të Andrew me rrjetin e Epstein, apo edhe përfshirjen e mundshme të një spiuni kinez.

Nëse ai nuk e pastron emrin e tij, ndërhyrja e Mbretëreshës së ndjerë për të mbyllur çështjen, do të duket gjithnjë e më shumë si një pagesë për të blerë heshtjen. Dhe është shqetësuese që u deshën akuzat për përfitime financiare, dhe jo britmat e viktimave, që ligji të trokiste më në fund në derën e Andrew-t./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”

monarkia britanike skandali epstein

Lini një Përgjigje