Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamzën, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjinin, për të diskutuar formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Ftesa është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.
"Po, sot në mëngjes Kryeministri Kurti ka dërguar letër për takim tre kryetarëve, të PDK, LDK dhe AAK", ka deklaruar Manxhuka.
Takimi është ftuar në ditën kur ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët e rinj kanë afat deri më 7 gusht për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18, ndërsa AAK-ja 7 mandate.
Sa i përket formimit të Qeverisë, LVV-ja ka deklaruar se disponon mbështetjen e nevojshme për të arritur shumicën prej 61 votash, duke llogaritur edhe votat e deputetëve të komuniteteve joshumicë, pa përfshirë deputetët e Listës Serbe.
Megjithatë, zgjedhja e presidentit pritet të kërkojë një konsensus më të gjerë politik. Për zgjedhjen e kreut të shtetit nevojiten të paktën 80 vota në Kuvend, çka nënkupton se do të kërkohet edhe pjesëmarrja ose mbështetja e njërit prej subjekteve më të mëdha opozitare, PDK-së ose LDK-së.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet brenda 60 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.
Lini një Përgjigje