TAGS-AT E JAVËS

Forum 6 Maj 2026, 10:46

Fati i luftës vendoset në samitin Xi-Trump në Pekin

Shkruar nga Paolo Rossetti
Fati i luftës vendoset në samitin Xi-Trump në Pekin
Donald Trump dhe Xi Jinping /

Në një moment kur Lindja e Mesme gjendet në udhëkryqin e një lufte totale, sytë e botës janë kthyer nga Pekini. Samiti i ardhshëm mes Donald Trump dhe Xi Jinping nuk është thjesht një takim dypalësh, por tryeza ku do të përcaktohet nëse Ngushtica e Hormuzit do të mbetet një rrugë e lirë tregtare apo do të shndërrohet në varrezën e ekonomisë globale...

Donald Trump ngre tonin dhe kërcënon me goditje të reja shkatërruese, ndërsa ka aktivizuar operacionin “Project Freedom” për të shoqëruar anijet në Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, ai e di se konflikti nuk është më rajonal.

Jo rastësisht, Sekretari i tij i Thesarit, Scott Bessent, i kërkon ndihmë Kinës, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, sapo ka mbërritur në Pekin për bisedime urgjente me Wang Yi. Për të kuptuar zgjidhjen diplomatike, Paolo Giordani (president i IDI) shpjegon se rruga kalon nga Lindja.

Ndërkohë, trupat amerikane dhe izraelite mbeten në alarm maksimal, ndonëse një armëpushim i brishtë është në fuqi deri në takimin e madh të 14 majit.

A duhet të shohim nga kryeqyteti kinez për të kuptuar çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme?

Operacioni “Project Freedom” është përpjekja e administratës Trump për të thyer ngërçin në Hormuz dhe për të testuar deri ku mund të përballojë presionin Irani, sidomos në planin ekonomik. Goditja e eksporteve të naftës prek drejtpërdrejt aftësinë e Teheranit për të përballuar përplasjen.

Por menjëherë pas kësaj vjen deklarata e Sekretarit amerikan të Thesarit që kërkon përfshirjen e Kinës. Ky është një sinjal i qartë se kjo krizë nuk mund të menaxhohet vetëm në terma dypalësh. Pekini është një aktor kyç, një nga importuesit kryesorë të energjisë iraniane dhe me ndikim real mbi Teheranin.

A po vepron Amerika në dy fronte?

Po, nga njëra anë është presioni ushtarak dhe ekonomik dhe nga ana tjetër nevoja për ta zgjeruar tryezën. E vërteta është se kjo krizë tashmë është globale dhe kërkon mjete që shkojnë përtej boshtit SHBA-Izrael-Iran.

Përndryshe, rreziku është një ngërç pa rrugëdalje, ku është e vështirë të shpallet një fitues. Pa përdorimin e trupave tokësore nga SHBA, konflikti mund të mbetet i ngrirë. Nëse ato përdoren, ekziston rreziku i një lufte pa fund dhe me kosto shumë të mëdha.

Cilat janë këto kosto?

Irani përdor dronë që kushtojnë 30-50 mijë euro dhe mund të rrëzojnë avionë me vlerë qindra milionë. Këtë e kemi parë edhe me mbrojtjen ajrore izraelite gjatë sulmeve masive me dronë. U përdorën sisteme prej 7-8 milionë dollarësh për të neutralizuar mjete shumë më të lira.

Për më tepër, Irani ndoshta nuk e kishte kuptuar më parë se kishte fuqinë të bllokonte botën. Ndërsa tani e di dhe mund të rrisë presionin. Nuk është e sigurt sa e mençur ishte një goditje e tillë ndaj tij.

Irani po kalon një krizë të rëndë ekonomike. A do të ndjekë sugjerimet kineze për Hormuzin?

Kina është një nga blerësit kryesorë të naftës iraniane dhe ka një interes të madh për stabilitetin e rrugëve energjetike. Nga ana tjetër, nuk jemi ende përballë një bllokade të plotë ushtarake.

SHBA-ja nuk e ka përdorur gjithë arsenalin e saj. Nëse do ta bënte, ndikimi mbi ekonominë kineze do të ishte i rëndë. Prandaj, Pekini po punon pa u ekspozuar për të mbajtur të hapura kanalet diplomatike dhe për të shmangur përshkallëzimin.

Çfarë marrëveshjeje mund të arrihet?

Me shumë gjasë, një marrëveshje e pjesshme, disa angazhime të shkruara, por jo përfundimtare. Çështjet thelbësore, si programi bërthamor, kontrolli i ngushticës, roli rajonal i Iranit, janë shumë komplekse për t’u zgjidhur shpejt, edhe me ndërhyrjen e Kinës.

Pra, mund të shpresojmë për një “marrëveshje të vogël” për kalimin e anijeve në Hormuz?

Po. Përndryshe, situata do të rëndonte mbi Evropën dhe Trump do t’u duhej të shpjegonte votuesve se përse çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm. P.sh 4 dollarë për gallon në Nju Jork dhe 6 dollarë në Kaliforni.

Irani flet për tarifa në Hormuz, ndërsa SHBA-ja e akuzon për kontroll të paligjshëm. Mos ndoshta vetë amerikanët synojnë të mbajnë kontrollin dhe të kufizojnë kalimet për të ushtruar presion ndaj Kinës?

Trump kërkon ta rikthejë Amerikën në “Epokën e Artë”, por kjo nuk është e thjeshtë. Kina vështirë se do të pranojë që Hormuzi të jetë qoftë edhe pjesërisht, nën kontrollin e Amerikës.

Si shpjegohen sulmet iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe?

Ato mund të duken të pamje të parë si dytësore, por kanë peshë strategjike. Zgjerimi i objektivave e rrit tensionin dhe dërgon sinjale ndaj SHBA-së, rajonit dhe aktorëve ekonomikë të Gjirit.

Një element shpesh i nënvlerësuar është mungesa e një komande të vetme brenda Iranit. Atje bashkëjetojnë linja të ndryshme pushteti, ndërsa Gardat Revolucionare (Pasdaranët) gëzojnë një autonomi që ndonjëherë çon në veprime më agresive se linja zyrtare. Dhe kjo e bën situatën më të paparashikueshme.

Raportohet se presidenti iranian Pezeshkian është acaruar me veprimet e Pasdaran-ëve. A është ky konfirmim i kësaj përçarjeje?

Duket sikur Irani ka 2 qeveri. Për më tepër, sulmet amerikane nuk kanë prodhuar simpatinë e popullit iranian. Përkundrazi nëse do të goditeshin objektiva strategjikë të regjimit, ndoshta efekti do të ishte ndryshe. Por goditjet në shkallë të gjerë, përfshirë edhe shkollat, kanë sjellë reagimin e kundërt.

SHBA dhe vendet e Gjirit kanë përgatitur një draft-rezolutë në OKB për të dënuar bllokimin e Hormuzit. A është një përpjekje e destinuar të dështojë?

Është një sinjal i rëndësishëm, por duhet parë me realizëm. OKB-ja është në thelb e paralizuar në raport me këtë krizë. Një rezolutë efektive kërkon një konsensus që sot për sot mungon. Këto nisma mbajnë hapur kanalet e dialogut, por shërbejnë më shumë si mjete pozicionimi politik sesa si zgjidhje konkrete.

Trump dhe Xi Jinping pritet të takohen më 14-15 maj. A do të fokusohet takimi te Irani?

Takimet kokë më kokë mund të ndihmojnë, por Trump është i paparashikueshëm. Megjithatë, Kina është i vetmi aktor me interes të drejtpërdrejtë dhe ndikim real në këtë krizë. Një zgjidhje duhet gjetur, madje edhe për Evropën, ku mungesa e koordinimit po sjell kufizime në fluturime dhe tregti (si alumini dhe plehrat kimike), për të mos folur për naftën. Kompromisi është një domosdoshmëri për të gjithë aktorët e përfshirë./Pamfleti nga “Il Sussidiario”

fati i luftës samiti i pekinit trump xi

Lini një Përgjigje