Tre vitet e ardhshme të Trumpit pritet të jenë më të vështirat, mes rënies në sondazhe dhe parashikimeve për një “valë blu” në zgjedhjet e mesit të mandatit. Nëse demokratët fitojnë, ai mund të përballet me përpjekje të vazhdueshme për shkarkim, nën presionin e tensioneve sociale. Ky skenar do të ekspozonte pashmangshmërisht gjendjen mendore dhe fizike të presidentit 80-vjeçar.
Çdo amerikani do t’i falet pse pyet veten herë pas here nëse senatori republikan Mitch McConnell është ende gjallë. Po, gjallë është, dhe meqë ra fjala, javët e fundit e ka bërë edhe më të dukshëm këtë fakt.
Megjithëse 83-vjeçari (që do të mbushë 84 vjeç pas dy javësh) rrallë shihet në Kapitol këto ditë, kundërshtimi i tij i zëshëm ndaj presidentit Donald Trump për një mori çështjesh është më i fortë dhe më i pranishëm se kurrë më parë.
McConnell u citua gjerësisht muajin e kaluar, kur kritikoi dëshirën e Trump për të blerë Grenlandën. Shëndeti në përkeqësim të vazhdueshëm i McConnell (është parë duke u rrëzuar përtokë në disa raste) dhe plakja e tij nuk janë pamje të rralla në Uashington, ku Kongresi është bërë një terren pjellor për njerëzit e lindur pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët refuzojnë të largohen në heshtje nga jeta publike.
Kongresmenia demokrate, Nancy Pelosi, është një tjetër ligjvënëse e lartë gjithmonë e pranishme. Kur mbushi 85 vjeçe, ajo njoftoi më në fund në nëntor 2025 se nuk do të kandidojë më. Ndërkohë, llogaria e saj bankare vazhdon të rritet falë aftësisë së saj për të parashikuar çmimet e ardhshme të aksioneve në bursa.
Pelosi ka qenë aq e saktë në parashikimin e ngritjeve dhe uljeve të tregut të aksioneve vitet e saj të fundit, saqë shumë llogari në platformën X merren tani enkas me manovrimet e saj të vazhdueshme financiare.
Pavarësisht dallimeve të tyre të natyrshme politike, McConnell dhe Pelosi janë të ngjashëm në atë që përfaqësojnë një grup ligjvënësish të moshuar që me shumë mundësi duhet të kishin dalë në pension më shumë se një dekadë më parë.
Por dyshja nuk është e vetmja në dëshirën e saj për të qëndruar në Uashington, një vendim që në fund të fundit u takon votuesve të Kentucky-t dhe Kalifornisë Veriore, të cilët kanë vazhduar t’i votojnë.
Dianne Feinstein, kryetarja e parë grua e bashkisë së San Franciskos dhe senatorja e parë femër nga shteti i Kalifornisë, shërbeu më shumë se 30 vjet në Kapitol përpara se të kritikohej pse vazhdonte detyrën ende në moshën 89-vjeçare në një karrige me rrota dhe me shumë probleme shëndetësore.
Kritikët konservatorë - veçanërisht ata në grupin parlamentar MAGA - e tallën Feinstein për qëndrimin në detyrë shumë kohë pas kulmit të saj. Shumë nga të njëjtët kritikë kanë kritikuar ashpër edhe problemet fizike të McConnell, pavarësisht se ai është në të njëjtën parti politike me Trump.
Por për të njëjtët kritikë, kur bëhet fjalë për vetë Trump, i cili në moshën 79-vjeçare po fillon të tregojë shenja të vërteta të lodhjes fizike dhe mendore, mosha dhe fatkeqësitë publike bëhen pothuajse të padukshme.
Gjendja e tij shëndetësore është sërish nën lupë, pasi kamerat e kapën Trumpin duke dremitur vazhdimisht gjatë një takimi të gjatë të kabinetit në dhjetor. Presidenti nuk e pranoi atë pretendim duke deklaruar para gazetarëve: “Shikoni, u bë shumë e mërzitshme për mua. Nuk fjeta. Thjesht i mbylla sytë sepse doja të largohesha që aty...”.
Por përgjumja e Trump në atë takim ishte vetëm e fundit në një sërë shqetësimesh shëndetësore që kanë dalë ndërsa ai po i afrohet moshës 80-vjeçare. Në korrik të vitit të kaluar, Shtëpia e Bardhë zbuloi se Trump ishte diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze pasi përjetoi ënjtje të lehtë në këmbë.
Pastaj, në shtator, ndërsa merrte pjesë në një përkujtimore mbi ngjarjet e 11 shtatorit në Pentagon, ana e djathtë e fytyrës së Trump dukej si më e varur, duke shkaktuar shqetësime se Trump mund të kishte pësuar një goditje në tru.
Po atë kohë, presidenti zbuloi se kishte bërë një rezonancë magnetike në Qendrën Mjekësore Walter Reed, megjithëse nuk tha se cila pjesë e trupit të tij ishte skanuar. Kohët e fundit, kanë filluar të lindin pyetje të reja në lidhje me shëndetin e Trump, pasi mediat në Davos publikuan imazhe të mavijosjeve të errëta në pjesën e pasme të dorës së tij.
Për më tepër, një nga mbështetësit e tij në Evropë sinjalizoi privatisht shqetësimin e tij në lidhje me aftësitë mendore të Trump. Duke folur me udhëheqësit evropianë në Bruksel muajin e kaluar, kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, shprehu shqetësim të thellë për shëndetin psikologjik të Trump, pasi të dy u takuan në rezidencën e Trump në Mar-a-Lago vetëm disa ditë më parë.
Fico tha se Trump u duk si “i dalë binarësh”, pasi presidenti fillimisht kërcënoi të aneksonte Grenlandën, përpara se të tërhiqej nga ato komente pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ekipi i Trump ka hedhur poshtë vazhdimisht spekulimet në lidhje me shëndetin e presidentit.
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Barbabella, deklaroi në tetor 2025 se Trump tregoi një “shëndet të përgjithshëm të shkëlqyer” pas një kontrolli të dytë, të cilin Barbabella e përshkroi si “rutinë” pasi media vuri në dyshim nevojën për një vizitë të dytë.
Kur u pyet për gjendjen e duarve të Trump, Barbabella u pajtua me pretendimin e presidentit se mavijosja e dukshme është për shkak të dridhjes së duarve. Vetë presidenti ka mohuar gjithashtu spekulimet se po vuan nga lloji i përkeqësimit fizik dhe mendor që përjetojnë të gjithë burrat dhe gratë e moshës së tij.
“Ndihem njëlloj siç ndihesha 40 vjet më parë!” - i tha Trump New York Times gjatë një interviste të gjatë në Shtëpinë e Bardhë në fillim të janarit. Kur përfundoi intervista 2-orëshe, Trump u tha me shaka 4 gazetarëve të pranishëm se “mund të qëndronte 9 orë”.
Dhe nuk është vetëm presidenti që beson në qëndrueshmërinë e tij fizike dhe mendore. Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Stephen Miller, deklaroi për New York Magazine këtë javë se Trump është “mbinjeri”, dhe shpesh ua kalon edhe anëtarëve të rinj të stafit të tij. “Nëse shikoni EKG-në e tij, kjo tregon gjithçka” - tha për të njëjtën revistë James Jones, një mjek që drejton ekipin mjekësor të Shtëpisë së Bardhë. “Analiza e Inteligjencës Artificiale tregon se ai është 14 vjet më i ri. Pra, 65 vjeç. Qëndrueshmëria e tij e tregon këtë. Askush nuk ka përqendrimin dhe rezistencën e tij. Pjesa tjetër e stafit është e lodhur, por jo ai...”.
Disa javë para se të botohej ky artikull, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., tha se Trump gëzon një “shëndet të jashtëzakonshëm” dhe zotëron “nivelin më të lartë të testosteronit që ka parë ndonjëherë për një individ që është mbi 70 vjeç”.
Përtej Trump dhe ekipit të tij të ngushtë, ish-këshilltarët dhe mbështetësit e presidentit besojnë fuqimisht në forcën e tij mbinjerëzore. “Ky nuk është mandati i tij i fundit!” - argumentoi ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, në profilin e revistës New York Magazine.
“Ai do të kandidojë përsëri në vitin 2028. Ai ka të paktën edhe 10 vjet të tjera në politikë” - shtoi ai. Në fakt, 2028-a ishte në mendjen e Trump kur fliste në një aktivitet për të promovuar ekonominë në Iowa të mërkurën në mbrëmje.
“Ne fituam dy herë, duhet ta bëjmë edhe një herë të tretë” - tha Trump duke iu referuar fushatave të tij presidenciale në 2016, 2020 dhe 2024. Pastaj mendoi për të ardhmen. “A mos duhet ta bëjmë edhe një herë të katërt?” - pyeti ai. Trump u përkul mbi podium dhe fitoi një brohoritje nga turma. “Katër fitore, katër fitore”- përsëriti Trump me një buzëqeshje ironike.
Tre vitet e ardhshme të tij në detyrë, ka të ngjarë të jenë më të vështirat nga dy mandatet e tij. Teksa po bie në sondazhe, ekspertët liberalë besojnë se zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit do të prodhojnë një valë blu që e kanë parë rrallë Uashingtoni dhe Amerika.
Nëse parashikimi i tyre del i saktë, dhe duke pasur parasysh tensionet e brendshme të shtuara së fundmi midis ICE dhe protestuesve në Minneapolis, Trump mund t’i kalojë dy vitet e tij të fundit duke u mbrojtur nga përpjekjet e qëllimshme dhe të vazhdueshme për ta shkarkuar nga detyra.
Në një skenar të tillë, nuk do të ketë fshehje të realiteteve mendore dhe fizike të presidentit tonë 80-vjeçar. Qoftë McConnell që ecën duke u lëkundur nëpër korridoret e Kapitolit, Pelosin që qëmton grafikët e bursave si një orakull i sprovuar, apo Trumpin që magjeps - dhe alarmon - botën me energjinë e tij të pafundme dhe ekscentrike, Uashingtoni është bërë një skenë e dominuar nga udhëheqës të moshuar që refuzojnë të tërhiqen.
Në Uashingtonin e sotëm, debati nuk ka të bëjë thjesht me politikën, por me atë se kush mund t'i mbijetojë vetë kohës. Trump, mbinjeri apo thjesht i vdekshëm, do të vërë në provë kufijtë e tij ndërsa Amerika varet në fije të perit./Përshtati Pamfleti nga “American Conservative”
Lini një Përgjigje