TAGS-AT E JAVËS

Forum 9 Mars 2026, 14:00

Lufta në Iran po shpërfaq pikat e forta dhe të dobëta të Amerikës

Shkruar nga Hal Brands
Lufta në Iran po shpërfaq pikat e forta dhe të dobëta
Foto Ilustruese /

Lufta po nxjerr në pah forcën dhe kufizimet e SHBA-së. Ajo rrit frikën te kundërshtarët, por po konsumon burime të mëdha ushtarake. Dhe pasojat e saj do të ndikojnë drejtpërdrejt në pozicionin global të Amerikës...

A do ta forcojë shkatërrimi i Iranit qëndrimin mbrojtës global të Amerikës? A do t’i bëjë shpërbërja e një “shteti të pabesë” aktorët e tjerë keqdashës të mendohen dy herë përpara se të veprojnë? Këto janë pyetje jetike, duke pasur parasysh se Pentagoni përballet me një sërë sfidash globale. Përgjigjet janë: po, jo dhe varet.

Po: Shfaqja aktuale e forcës do të rrisë aurën e fuqisë së SHBA-së dhe do të mbjellë frikë te kundërshtarët.

Jo: Lufta do të konsumojë forcat dhe do të pakësojë kapacitetet që SHBA-së mund t’i nevojiten në beteja të tjera.

Varet: Pasojat për konfliktet e ardhshme varen ende nga rezultati përfundimtar i kësaj lufte.

Konfliktet e mundshme nuk mund të shpërfillen, edhe pse Lindja e Mesme është “në flakë”. Një Rusi revizioniste po kërcënon Evropën, ndërsa në horizont po afrohet një luftë e mundshme me Kinën, nëse kjo e fundit përpiqet të pushtojë Tajvanin.

Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes e Presidentit Donald Trump e etiketoi Kinën si “sfidën përcaktuese” dhe argumentoi se SHBA-ja duhet të shmangë konfliktet në Lindjen e Mesme që shterojnë burimet dhe vëmendjen.

Prandaj, duhet parë se si ndërhyrja më e fundit e Amerikës në atë rajon mund të ndikojë në parandalimin në ato vende, që sipas vetë strategjisë së Trump kanë rëndësinë më të madhe.

Nga perspektiva psikologjike, efektet janë kryesisht pozitive.

Në Iran, Trump po tregon se ka vullnet për përshkallëzim dramatik. Ai po përdor mjete - fuqi goditëse globale, partneritete me aleatë të aftë dhe teknologji të avancuar - që e pozicionojnë SHBA-në mbi gjithë të tjerët. Ushtria amerikane po çmonton forcat e një kundërshtari që dikur konsiderohej i frikshëm.

Në bashkëpunim me Izraelin, Trump po demonstron gatishmërinë e tij për të vënë drejtpërdrejt në shënjestër udhëheqësit e shteteve armiqësore. Irani nuk është në të njëjtën kategori me Kinën apo Rusinë. Një skeptik mund të thotë se Trump dominon aktorët e dobët, por u nënshtrohet të fortëve.

Megjithatë, këto elemente të luftës në Iran janë të dobishme për parandalimin e konflikteve. Ato përforcojnë respektin për fuqinë amerikane dhe i bëjnë rivalët të mendojnë se çfarë do të ndodhte nëse do të ballafaqoheshin me Trumpin.

Megjithatë, parandalimi ka të bëjë me kapacitetet po aq sa me psikologjinë, dhe këtu pasojat janë më shqetësuese. Aftësitë e Amerikës janë mbresëlënëse, por të kufizuara. Dhe çfarëdo që të thotë Trump, kostot globale të këtij konflikti janë reale.

Lufta kundër Iranit - ashtu si sulmet ndaj Houthi-ve dhe operacionet e tjera të fundit - i ka shteruar rezervat e raketave lundruese Tomahaëk. Numrat e saktë janë sekret shtetëror, por SHBA-ja ka përdorur ndoshta në ditët e para të luftës një sasi që i korrespondon prodhimit të disa viteve.

Pentagoni ka pakësuar rezervat e municioneve të tjera me rreze të gjatë dhe veçanërisht të interceptorëve të raketave dhe mbrojtjes ajrore të nevojshme për të zbutur hakmarrjen e Teheranit.

Angazhimi i vazhdueshëm në Lindjen e Mesme po e sforcon shumë flotën. USS Gerald Ford po kryen atë që mund të jetë një nga misionet më të gjata të një aeroplanmbajtëseje në historinë e Marinës. Ritmi i lartë i operacioneve, po shkakton konsumimin e avionëve si B-2 dhe F-22, të cilët do të ishin jetikë në një betejë në Evropë apo në Paqësor.

Ushtria amerikane nuk është e përgatitur për të luftuar disa luftëra njëkohësisht, apo në një sekuencë të shpejtë. Pavarësisht përpjekjeve për të rritur prodhimin e municioneve, baza industriale e mbrojtjes nuk mund t’i rimbushë ato me shpejtësi.

Një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes u shpreh se nëse zbatohen në mënyrë të zgjatur, planet e luftës së Pentagonit përbëjnë “potencialisht një kërcënim ekzistencial” për aftësinë e ushtrisë për të ekzekutuar plane të tjera. Një konflikt i zgjatur me Iranin, mund të konsumojë mbrojtjen ajrore që Trump mund t’ia ofronte Evropës ose Ukrainës.

Ç’është më e rrezikshme, kjo mund ta lërë SHBA-në të papërgatitur për një përballje në Paqësorin Perëndimor. Uashingtonit i mungonin rezervat e municioneve edhe për një luftë të shkurtër me Kinën. Dhe me çdo breshëri sulmesh ajrore në Gjirin Persik, kjo mangësi bëhet edhe më akute.

Mungesa të tilla mund të mos çojnë domosdoshmërisht në një sulm kinez ndaj Tajvanit, pasi vendime të tilla rrjedhin nga llogaritje komplekse. Por ato mund ta vendosin Trumpin në një pozicion dobësie ushtarake dhe diplomatike, duke rritur mundësinë që parandalimi të dështojë në mënyrë katastrofike.

Sigurisht, pozicioni i Amerikës në Paqësor varet edhe nga epilogu i kësaj lufte. Ndoshta ajo do të përfundojë brenda pak ditësh, me regjimin iranian aq shumë të dobësuar sa të mos përbëjë më kërcënim, ose me udhëheqës të rinj më të prirur për bashkëpunim.

Në këtë skenar, harxhimi i armatimit do të ishte i justifikuar. SHBA-ja mund të realizonte më në fund kthesën drejt Paqësorit, duke dobësuar dy partnerë të Pekinit (Venezuelën dhe Iranin), duke forcuar kontrollin mbi furnizimet me naftë dhe duke vendosur një rend më të qëndrueshëm në Lindjen e Mesme.

Ndoshta kjo krizë do të nxisë edhe rritjen e shpenzimeve industriale për ta përgatitur Amerikën për sfida më të mëdha. Ndërkohë rezultate të tjera janë më shqetësues. Lufta mund të zgjasë me javë. Ajo mund të përfundojë me një regjim iranian të dëmtuar por të paprekur, duke ushqyer një urrejtje të thellë dhe dëshirën për t’u riarmatosur.

Në këtë rast, Pentagoni do të detyrohej të mbante forca të mëdha në rajon për të garantuar sigurinë e aleatëve. Kthesa drejt Paqësorit nuk do të ndodhte kurrë. SHBA-ja do të mbetej e mbërthyer në një tjetër “rrëmujë” të Lindjes së Mesme.

Ditët dhe javët në vijim, do të tregojnë se cili do të jetë rezultati. Sidoqoftë, basti i Trumpit në Lindjen e Mesme do të lërë një gjurmë të thellë jo vetëm në atë rajon, por në gjithë pozicionimin ushtarak global të Amerikës./Pamfleti nga “Bloomberg”

Shënim: Hal Brands, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS) në Universitetin Johns Hopkins.

lufta në iran pikat e dobëta pikat e forta amerika

Lini një Përgjigje