TAGS-AT E JAVËS

Forum24 Prill 2026, 22:52

NATO “alla” Trump: Ca të nënës, ca të njerkës!

Shkruar nga Federico Rampini

NATO “alla” Trump: Ca të nënës, ca të

Në fakt është një ndarje e NATO-s midis vendeve të kategorisë A dhe vendeve të kategorisë B...

Trump dhe bashkëpunëtorët e tij kanë hedhur idenë e ndarjes së NATO-s në vende të kategorisë A dhe vende të kategorisë B, me kërcënimin për të ndëshkuar dhe dënuar aleatët më pak të besueshëm, ata më pak të gatshëm. Përtej karakterit hakmarrës dhe impulsiv të këtij presidenti, kjo, në të vërtetë, nuk është një risi. Jemi sërish në një ribërje të një filmi të parë kohë më parë. Kjo ndodhte në vitin 2003. Amerika e George W. Bush, Bush i riu, vendoste pushtimin e Irakut të Saddam Hussein.

Dy vende të rëndësishme të NATO-s, Gjermania dhe Franca, me kancelarin Gerhard Schröder dhe presidentin Jacques Chirac, distancoheshin dhe madje e dënonin politikisht atë ndërhyrje ushtarake. Ishte një krizë shumë e rëndë që në atë kohë bëri të flitej për vdekjen e NATO-s. Dhe sekretari i mbrojtjes i Bush, Donald Rumsfeld, mbajti një fjalim të njohur në të cilin fliste për Evropën e Re dhe Evropën e Vjetër.

Ai vendoste në kundërvënie vendet e Evropës së Re, veçanërisht në lindje, mbi të cilat Amerika mund të mbështetej si aleatë të vërtetë, aleatë të sinqertë, dhe Evropën e vjetër që Rumsfeld e çonte në koshin e historisë. Mirëpo, ajo që po ndodh sot, përsëris, përtej karakterit të Trump dhe kërcënimeve të tij për hakmarrje, në fakt është një ndarje e NATO-s midis vendeve të kategorisë A dhe vendeve të kategorisë B, sepse ekziston një krah qendror-lindor i Evropës që po riarmatoset, që po rrit në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për sigurinë e tij.

Ky krah udhëhiqet nga Gjermania e kancelarit Merz, e cila megjithatë bën pjesë në një familje më të gjerë, sepse Polonia, vendet skandinave, hyrjet e fundit në NATO, dhe vendet baltike janë ato që, duke ndjerë më konkretisht kërcënimin e Rusisë, po angazhohen shumë për të qenë të përgatitura, për të forcuar mbrojtjen e tyre dhe për të përmirësuar sigurinë kombëtare. Pra, përtej Trump dhe kërcënimeve të tij për hakmarrje dhe ndëshkim, fakti është se ekziston një dinamikë që tenton ta ndajë NATO-n në dy grupe vendesh.

Së bashku me Gjermaninë, Poloninë, vendet baltike dhe ato skandinave, mund të përfshihen edhe Franca dhe Anglia, të cilat, përtej lidershipit relativisht të dobësuar, mbeten gjithsesi dy fuqitë bërthamore, të vogla, por të vetmet që disponojnë armë atomike. Ndërkohë, ekziston një krah mesdhetar i Evropës që rrezikon të bëhet më pak i rëndësishëm, gjeopolitikisht më pak relevant, sepse ka bërë zgjedhje të ndryshme. Spanja, në veçanti, por edhe Italia, mbeten në fund të listës për sa i përket investimeve në sigurinë e tyre.

Këto janë tendenca afatgjata që priren të zhvendosin qendrën e gravitetit gjeopolitik të Evropës drejt veri-lindjes, pavarësisht nga ky president amerikan. Janë tendenca që rrezikojnë të zgjasin dhe të kenë ndikim edhe me presidentë të tjerë amerikanë./Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere della Sera”

1 Komente

  1. B
    BP

    Çdo traktat (treaty) që nënshkruan presidenti i ShBA duhet të jetë aprovuar më parë nga Dhoma Përfaqësuese dhe 2/3 e senatorëve. E njëjta duhet të ndodhë për anullimin e një traktati. Pra, z. Trump mund të thotë çfarë të dojë, por nëse nuk merr aprovimin e 2/3 të senatorëve marrëveshja nuk anullohet dot. Sigurisht, që preaidenti mund të pengojë aplikimin për sa kohë mundet brenda ligjit, por kurrsesi nuk e anullon dot.

    Lini një Përgjigje