
Madje kanë rrëmbyer edhe armët për të luftuar regjimin e Muhamet Riza Palavit. Me të cilin u përplasën keqas, sa i krijoi problem kësaj organizate, që u shpall si grup terrorist edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit...
Shqipëria është vendi që ka pranuar strehimin e një grupi të madh disidentësh politikë të regjimit iranian, të cilët jetojnë në një kompleks banesash të ndërtuar me lekët e veta, pranë qytezës së Manzës.
Ata janë burra dhe gra të angazhuar politikisht në opozitë me regjimin e ajatollahëve të Iranit, që në fillimin e viteve ’80 të shekullit të shkuar. Kundërshtarë të regjimit monarkik të Shahut, marksistë ideologjikisht por edhe revolucionarë, “Muxhahidinët e Popullit” u kthyen në delen e zezë të ish-mbretit, i cili i burgosi, e luftoi me grupet e majta iraniane, të cilët në fund të viteve ’60 nuk ishin një lëvizje aq e qetë.
Madje kanë rrëmbyer edhe armët për të luftuar regjimin e Muhamed Riza Palavit. Me të cilin u përplasën keqas, sa i krijoi probleme kësaj organizate, që u shpall si grup terrorist edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Muxhahidinët e Popullit ishin ndër të parët që dolën në protesta popullore për rrëzimin e monarkisë, e përkrahën grupet religjioze që drejtoheshin nga kleriku në mërgim Ruhollah Khomeini, i cili ishte me azil politik në Francë.
Furia popullore në vitin 1979 bëri që Palavi t’ia mbathë nga sytë këmbët dhe u strehua në SHBA. Me vete mori në sasi të madhe parash dhe ari, i cili u vendos në bankat amerikane.
Në krye të Iranit u vendos Khomeini, që e quajti veten Ajatollah dhe vendosi një regjim teokratik, ku vetë ishte lider suprem, kryekomandant i ushtrisë, i shtetit, gjyqësorit, drejtor i përgjithshëm i Televizionit dhe kryeredaktor i gazetave, si dhe kryeimam jo vetëm i iranianëve, por i të gjithë myslimanëve të ritit shiit në të gjithë botën.
Muxhahidinët laikë u shpallën menjëherë armiq, edhe pse ishin ata që nxorën popullin dhe rininë e Teheranit dhe qyteteve kryesore në protestat e mëdha kundër Shahut. Drejtuesit e MEK vareshin në vinça publikë në sheshet e rrugët e Teheranit, njësoj si besnikët e Shahut, “agjentët” dhe “tradhtarët”.
Një pjesë e muxhahidinëve, pas nisjes së persekutimeve, u arratisën në rrugë tokësore në Irak. Sadam Hyseini i dha strehim politik. Me shpërthimin e luftës Iran-Irak, regjimi i ajatollahëve akuzoi muxhahidinët se luftuan kundër vendit të tyre. Por akuzat ishin më shumë politike e publike, ngaqë nuk kishte ndonjë provë për përfshirjen e MEK në këtë luftë.
Gjithsesi, akuzat vijuan edhe pas përfundimit të luftës në lidhje me veprimtari spiunazhi kundër regjimit iranian. Në Irak, muxhahidinët u vendosën në të ashtuquajturin kampi Ashraf, një kompleks godinash pranë Bagdadit.
Me rrëzimin e Sadam Hyseinit, pas vitit 2003, muxhahidinët përjetojnë një persekutim të dytë. Në Irakun post-Sadam, vijnë në pushtet shiitët proiranianë, të cilët u sollën ndaj MEK në mënyrë çnjerëzore.
Torturimin e tyre e mori në dorë famëkeqi gjeneral Kasem Sulemani, i cili drejtonte brigadën Quds të Gardës Revolucionare. Në fillim instaloi amplifikatorë dhe altoparlantë gjigantë jashtë mureve të kampit, ku 24 orë në 7 ditë transmetonte kërcënime patetike se do të varen të gjithë armiqtë e revolucionit.
Më pas nisën bombardimet me raketa: ku më 1 shtator 2013 u vranë 52 pjesëtarë të opozitës iraniane.
Autoritetet irakene thanë se raketa kishte ardhur nga “drejtime të paditura”, por muxhahidinët akuzuan presidentin proiranian Nuri Al Maliki, që e konsideronin si kukull të ajatullahëve.
Gjatë qëndrimit të tyre në Irak, pas administrimit të SHBA-së, muxhahidinët afruan marrëdhëniet me qeverinë amerikane, sa kjo e fundit hoqi organizatën nga lista e zezë.
Bashkëpunimi qe aq i ngushtë, sa një grup prej opozitarëve, pjesa më e madhe e të cilëve janë të diplomuar në universitetet më të mira iraniane, kryesisht në inxhinieri nukleare apo elektronike, arritën të zbulonin programin bërthamor nga regjimi i ajatollahëve.
Kjo marrëdhënie bëri që SHBA të kërkojë një strehim të sigurt për muxhahidinët. Kërkonin në vend aleat, por që nuk ka marrëdhënie të afërta tregtare dhe ekonomike me Iranin e aleatët e saj, Rusinë e Kinën.
U gjet Shqipëria. Në atë kohë Sali Berisha, që ishte kryeministër i Shqipërisë, pranoi vetëm një numër të kufizuar, 500 persona. Kur në qeveri erdhi Edi Rama, pranoi që të strehojë të gjithë opozitën iraniane në Shqipëri. E cila në fillim u vendos pranë City Park, e më pas në Manzë.
Inaugurimin e ardhjes së të gjithë anëtarëve të MEK e ka bërë vetë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry. Ndërkohë, në mjediset e Ashrafit 3, siç quhet kompleksi i Manzës, kanë ardhur figura të larta të politikës amerikane, nga Mike Pompeo te John Bolton, Nancy Pelosi e shumë shumë të tjerë. Gjithashtu, muxhahidinët i përkrahin figura shumë të njohura të politikës europiane, kryesisht parlamentarë e diplomatë të njohur, natyrisht të tërhequr nga detyra.
Në Manzë kanë shkuar shpesh për të ngrënë ashure dhe akullore iraniane edhe Pandeli Majko, Sali Berisha e Fatmir Mediu. Të cilët, fjalimet pro opozitës iraniane i kanë përdorur si një afiliacion proamerikan, që të duken mirë në sy të VIP-ave të ardhur nga përtej Atlantikut.
Muxhahidinët janë një organizatë që vepron në kushtet e një konspiracioni permanent. Sidomos kur në Tiranë ndodhej ambasada iraniane, ata janë ndjekur non-stop nga shërbimi inteligjent i Gardës Revolucionare, i cili ka përdorur operacione të vërteta e të fuqishme sulmesh diversive. Duke sjellë personazhe të dyshimta e problematike që përdornin mediat shqiptare për t’i sulmuar.
Në median shqiptare u hapën narracione se muxhahidinët janë si sekt dhe bëjnë një mijë të zezat aty brenda, duke i vënë mikrofonin çfarëdo personi që i sulmonte, por asnjëherë nuk i kanë marrë ata vetë për të balancuar informacionin.
Muxhahidinët që drejtohen nga inxhinierja 75-vjeçare Maryam Rajavi, e cila jeton në Paris së bashku me kryesinë e Këshillit të Rezistencës, kanë një portal në gjuhën shqipe. Ku publikojnë lajme dhe deklarata të ndryshme, kanë punësuar mjaft juristë dhe përkthyes nga Shqipëria.
Madje janë kujdesur që të zgjedhin njerëz pranë opozitës, si e si që të mos i sulmojnë mediat e saj. Të cilëve u japin rroga e honorare. Megjithatë, askush nuk është treguar i butë me ta, i sulmojnë vazhdimisht, madje edhe këto ditët e nisjes së luftës në Iran.
Si ka mundësi që të mos thirret një prej tyre që të flasin në panelet ku diskutohet prej të shtunës lufta në vendin e tyre. Janë ekspertë të nivelit të parë, e njohin Iranin dhe njerëzit e tyre, janë të shkolluar e intelektualë, pra kanë artikulimin e duhur për ta bërë sa më mirë.
Pjesa më e madhe e tyre shkruajnë ditë për ditë në media të ndryshme online të Gjirit Persik, natyrisht jo proiraniane por që financohen nga vendet arabe si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara e më pak Katari. Disa të tjerë shkruajnë në mediat ndërkombëtare, që nga gazetat europiane, deri tek ato amerikane. Ama në ekranet e Tiranës dalin vetëm partizanët e ajatollahëve. Që nga ata të hapur e militantë pasionantë, e deri tek kriptoekspertët e “pavarur”, të cilët na kanë çarë dërrasat prej vitesh për fuqinë e regjimit të Ali Khameneit.
Opozita iraniane zhvillon protesta e manifestime në të gjitha vendet e botës me diasporën iraniane dhe pjesëmarrja është shumë e madhe. E fundit ishte tubimi masiv që u bë në Mynih para konferencës së madhe të Sigurisë. Ku dy opozitat, ajo e djalit të Shahut dhe MEK, bënë dy manifestime të veçanta, ku fitoi MEK për masivitetin. Mjafton të shikosh website-in e organizatës që të analizosh ftohtë dhe qetë nëpërmjet fotove dhe videove faktet ftohtë. Po të paktën kur ajatollahët e Tiranës i shajnë me libër shpie në televizione, përse nuk i thërrasin edhe muxhahidinët të japin opinionet e tyre?
Lini një Përgjigje