Dështimi i luftës me Iranin po kthehet në epilogun e dhimbshëm të presidencës Trump. Manjati gjendet tashmë i bllokuar në një lojë diplomatike ku ai nuk kontrollon më lëvizjet, por vetëm pasojat...
Kush do ta kishte imagjinuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ende fuqia më e madhe e botës, do të nisnin një luftë kundër Iranit pa një strategji të qartë, pa objektiva të përcaktuara dhe pa një plan të besueshëm daljeje?
Duket e pabesueshme që vetëm dy muaj më vonë, Uashingtoni do ta gjente veten të frustruar, të mashtruar dhe të poshtëruar pikërisht nga ai regjim që synonte të frikësonte. Kush do ta kishte parashikuar që Uashingtoni nuk do të arrinte të rihapte Ngushticën e Hormuzit - e cila para luftës ishte e hapur - duke e lënë nën shantazh ekonominë botërore dhe duke u përkulur para ndërmjetësimit të Pakistanit?
Po, pikërisht Pakistanit, një vend që sot është shumë më afër Teheranit sesa Uashingtonit. Në kohë normale, këtë do ta quanim absurde. Ose surreale. Por me Donald Trump-in, realiteti e poshtëron edhe satirën. Kush do ta kishte imagjinuar që pasi e kishte kërcënuar, fyer e joshur Iranin, e në fund i ishte lutur të merrte pjesë në bisedimet e paqes në Islamabad, delegacioni amerikan do të shpërfillej në këtë mënyrë?
Nisja nga Uashingtoni u shty jo një, por dy herë, thjesht sepse negociatorët iranianë nuk kishin vendosur ende nëse do të paraqiteshin apo jo. Ekipi i “njerëzve më të mirë” të Trump-it - J.D. Vance, Steve Witkoff dhe Jared Kushner - i ngjan më shumë trupës së komedianëve të famshëm italianë “Aldo, Giovanni dhe Giacomo”.
Madje, edhe kjo mund të ishte fyerje për këta të fundit. Konfuzioni në Shtëpinë e Bardhë është total. Trump njoftoi se zëvendëspresidenti Vance nuk do të shkonte në Islamabad, por pak minuta më vonë, e njëjta Shtëpi e Bardhë e korrigjoi presidentin.
Vance duhej të nisej të hënën për të mbërritur të martën, pasi armëpushimi skadonte të mërkurën. Trump kërcënoi se nuk do ta zgjaste atë, se do të bombardonte urat e infrastrukturën iraniane nëse Teherani nuk nënshkruante një marrëveshje deri në atë datë. Pastaj, nisja e Vance-it u shty sërish, mes një paqartësie totale.
Në këtë pikë, iranianët e kuptuan bllofin e Trump-it dhe ai u tërhoq. Të martën pasdite, presidenti thirri një mbledhje emergjente në Shtëpinë e Bardhë. Koha po mbaronte. Air Force Two ishte gati në pistën e Andrews-it për të dërguar Vance-in në Pakistan, por kishte vetëm një problem: iranianët po luanin me kohën. Ata nuk komunikonin, nuk konfirmonin asgjë dhe as nuk paraqiteshin në Islamabad.
Në Wall Street këtë situatë e pagëzuan si “Taco Tuesday”: Trump Always Chickens Out (Trump tërhiqet gjithmonë). Kështu, presidenti impulsiv dhe i paqëndrueshëm iu drejtua rrjeteve sociale për të njoftuar zgjatjen e armëpushimit.
Asnjë bombë sot! Sërish një hap pas. Edhe një herë, tregjet reaguan me lëkundje. BBC pretendon se dikush pranë Shtëpisë së Bardhë po spekulon në Wall Street, duke përfituar nga informacionet e rezervuara mbi njoftimet presidenciale që lëvizin tregjet.
Megjithatë, asnjë gazetë e madhe amerikane nuk duket e gatshme të hetojë seriozisht atë që mund të jetë skandali më i madh i “insider trading” në historinë moderne. Kjo është gjendja e mediave gjysmë të squllura amerikane: duhet BBC-ja britanike për të hedhur dritë mbi atë që ndodh në Uashington.
Për Donald Trump-in, i cili e ka ndërtuar mitin e tij politik mbi forcën, paparashikueshmërinë dhe premtimin për të fituar gjithmonë, katastrofa iraniane është shumë më tepër se një humbje në politikën e jashtme. Dështimi i luftës në Iran do të përcaktojë dështimin e të gjithë presidencës së tij. Ky është padyshim një demaskim personal, madje edhe brenda vetë bazës së tij MAGA. Pozicioni i tij i brendshëm po përkeqësohet me shpejtësi.
Sondazhet po tregojnë rënien e tij të shpejtë. Votuesit i refuzojnë tarifat, dështimet ekonomike dhe luftën. Inflacioni po rritet sërish. Benzina dhe ushqimet po shtrenjtohen, ndërsa papunësia po merr hov. Trump rrezikon t’i sjellë Amerikës makthin më të keq ekonomik: stagflacionin.
Edhe Wall Street Journal, zëri historik i konservatorizmit amerikan, ka dhënë një verdikt shkatërrues. Në një editorial me titull “Irani e merr Trump-in për budalla”, Elliott Kaufman shkroi: “Sa herë mendojnë t’ia bëjnë këtë lojë para se të rihapet Ngushtica e Hormuzit?”.
Kur edhe gazeta e Rupert Murdoch-ut e përshkruan kështu një president republikan, dëmi është tashmë shumë i madh. Dhe tani, çfarë i mbetet Trump-it? Me shumë gjasa, një poshtërim i maskuar si diplomaci.
Teherani është treguar më i durueshëm, më i disiplinuar dhe më i sofistikuar sesa njerëzit që rrethojnë presidentin amerikan. Madje sot regjimi iranian është më i fortë se më parë. Bombardimet nuk prodhuan asnjë ndryshim regjimi. Përkundrazi, ato forcuan “skifterët” vendas.
Në Uashington, Trump do të mbetet duke pritur në telefon, me shpresën për të marrë një përgjigje nga Teherani që do t’i lejojë të kërkojë sërish Nobelin për Paqen dhe të shesë si triumf çfarëdo lloj marrëveshjeje. Por nuk do të jetë marrëveshja e shekullit.
Ka shumë të ngjarë të jetë një pakt i ngjashëm me atë që ai vetë e grisi në vitin 2018. Dhe këtu qëndron akti final i dështimit në Iran: manjati mund të katandiset të firmosë një marrëveshje pothuajse identike me paktin bërthamor të vitit 2015 të negociuar nga Barack Obama dhe evropianët - pikërisht atë marrëveshje që Trump e quajti katastrofike.
Kjo do të ishte ironia përfundimtare: muaj të tërë lufte, jetë të humbura, 50 miliardë dollarë të shpenzuar, kaos ekonomik global dhe humbje totale e besueshmërisë së SHBA-së, vetëm për t’u rikthyer në kushtet e vitit 2015.
Kjo është tragjedia e epokës Trump: gjak i derdhur kot, konfuzion strategjik, një president që kërcënon me krime lufte dhe pastaj tërhiqet, dhe një superfuqi që ka filluar të duket qesharake. Një superfuqi që po i ngjan një shteti gjysmë të dështuar: i paparashikueshëm, kaotik dhe i rrezikshëm.
Ndoshta ka ardhur momenti të ndalojmë së qeshuri me Donald Trumpin dhe të pyesim veten: edhe sa mund të mbijetojë bota në këtë gjendje?/Pamfleti nga “La Stampa”
Sigurisht jam me Ameriken dhe per demokracine qe ajo ka ndertuar. Por mendoj se lufta kunder Iranit eshte e padrejte pasi ai eshte ne vendin e vet dhe nuk mund ta vrasesh tjeterin sepse ti ke frike se ai neser mund te behet i forte dhe i rrezikshem per ty ose pse nje shtet tjeter aleat i ngushte ka frike. Bomben berthamore askush nuk e ka prodhuar me leje, te gjithe pa leje e kane prodhuar, pse mos ta prodhoje edhe Irani.
Shum e vertet kjo qe thua ti Mandi . ATA mund te ken nje shtet demokratik, po skan te drejte te sulmojne nje shtet tjeter .