TAGS-AT E JAVËS

Forum31 Maj 2026, 19:07

Pse Berisha futi në udhëheqje skalionin rezervë të pushtetit?

Shkruar nga Ylli Pata

Pse Berisha futi në udhëheqje skalionin rezervë të

Lista është një blindim më i fortë, apo një gardh më tepër i rrethit familjar, tribal dhe klientelist i një grupi drejtues, i cili kështu e ka konsideruar politikën që në fillim.

Ajo çfarë ndodhi në zgjedhjen e udhëheqjes së gjerë të Partisë Demokratike ka sjellë diskutime, pasi nuk kishte ndodhur më parë.

Sali Berisha ka sjellë në Këshillin Kombëtar të PD-së, një grup njerëzish që kanë qenë gjithmonë afër tij, madje shumë afër tij, por që nuk kanë marrë poste apo angazhime “zyrtare” në Partinë Demokratike. Edhe pse faktikisht, thuajse e gjithë lista ka qenë de fakto person me influencë ekzekutive në aktivitetet politike të PD-së qoftë në pushtet, por edhe në opozitë.

Kryesisht lista është e përbërë prej skalionit të ashtuquajtur rezervë, që gjatë pushtetit të Partisë Demokratike, ka pasur role të rëndësishme ekzekutive, në institucionet më të rëndësishme e me pushtet të shtetit, e gjithashtu kompanive më të rëndësishme publike me buxhet më të madh.

Prania e një liste apo skalioni të ashtuquajtur rezervë që përdoret nga politika shqiptare gjatë marrjes së pushtetit nuk është vetëm se e ka bërë vetëm Sali Berisha. Prej 34 vitesh tashmë, kemi parë që partitë, sidomos të mëdhatë, por edhe të tjerat, kanë gati personazhet që i vendosin nëpër postet e rëndësishme, pasi janë skalioni më besnik.

Ky është njëri nga faktorët e krizës së përfaqësimit dhe mungesës së meritokracisë në Shqipëri. Megjithatë, në rastin aktual, kemi të bëjmë me një katapultim të një liste personash që ka qenë shtylla kurrizore e deep state të mandatit të dytë të Sali Berishës. Një “brigadë” “kolonelësh” që kanë kontrolluar në mënyrë vertikale shtetin shqiptar, e që u kthyen realisht në një problem pakënaqësie, që fare lehtë mund të konsiderohet edhe një nga shkaqet e humbjes së thellë të PD-së në vitin 2013. Humbje, e cila nuk është analizuar asnjëherë me mendje të ftohtë, pasi nuk kemi pasur një ikje totale tek e majta, por një protestë e qartë e votuesit të djathtë të mërzitur, apo të irrituar. Një pjesë e rëndësishme e votuesit demokrat shkoi te LSI-ja në dy zgjedhje radhazi-2013,2017, pikërisht për të dhënë një sinjal për zhgënjimin ndaj mënyrës vertikale, familjare e tribale që ka qeverisur Sali Berisha në mandatin e dytë.

Rikthimi në shtëpi në 2021-shin e një pjese të mirë të kësaj vote ndodhi sepse ata besuan realisht se Lulzim Basha bashkë me ndërkombëtarët, e kanë një pushtet më të madh se Sali Berisha brenda PD-së, ku pjesa më e madhe e “skalionit rezervë” nuk do të kishte më pushtetin e dikurshëm.

Dhe në fakt, ky sensacion kishte logjikë, pasi me afrimin e Non Grata-s, pushteti i Berishës shikohej se po binte. Por gjithçka ndodhi pas përjashtimit të Sali Berishës nga Basha, ku një pjesë e rëndësishme e të mërziturit me të, patën iluzionin se do ta përdornin doktorin si trampolinë për karrierën e tyre.

Normalisht se nuk do të ndodhte. Sali Berisha është një politikan që e ka bërë të qartë që në krye të herës se kush është nga pikëpamja e logjikës së zgjedhjes së stafeve dhe krijimit të bashkëpunimit.

Deal-et e doktorit janë pakte in extremis e jo një filozofi politike e shtratit normal të ndërtimit politik të Partisë Demokratike në opozitë apo qeverisje.

E gjithë lista që Sali Berisha ka futur në udhëheqjen e gjerë të PD-së, janë personazhe që gjatë 13 viteve të opozitës kanë pasur role të rëndësishme, sidomos pas rikthimit aktiv të Sali Berishës. Kurorëzimi zyrtar i tyre në PD është thjesht de jure, pasi de fakto ka qenë madje shumë aktiv.

Lista është një blindim më i fortë, apo një gardh më tepër i rrethit familjar, tribal dhe klientelist i një grupi drejtues, i cili kështu e ka konsideruar politikën që në fillim. Kush ka pasur iluzione për një deal me këtë grupim që është vertikal dhe i ngjizur tashmë, sipas të gjitha gjasave i ka bërë llogaritë gabim.

Megjithatë, përtej kësaj pjese, pra iluzioneve të atyre që mendonin se mund të kalonin gardhin klanisto-klientelist, sinjali më i rëndësishëm është një tjetër.

Berisha po ndërton jo një parti politike për tu zgjeruar, por një organizatë të mbyllur për mbijetesë dhe rezistencë. Madje shumë të fortë.

partia demokratike berisha kuvendi kombetar i pd

Lini një Përgjigje