Forcat e Policisë së Tiranës dhe Krujës kanë shtrirë kontrollet në zonat e thella malore të Krujës, në kuadër të operacionit kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas burimeve policore, gjatë kontrolleve të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit të së martës janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë bimë të dyshuara si kanabis. Ato ishin kultivuar në afërsisht 100 parcela të shpërndara në terrene të vështira për t’u arritur.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se kultivuesit kishin zgjedhur të organizonin parcelat në sipërfaqe të vogla, me nga 50 deri në 100 bimë secila, me qëllim shmangien e zbulimit.
Bimët narkotike janë shkatërruar në vend nga grupet e operacionit, ndërsa hetimet janë përqendruar në identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Deri tani nuk raportohet për persona të arrestuar, por policia ka identifikuar disa të dyshuar, të cilët janë shpallur në kërkim.
Në aksion janë angazhuar 15 grupe policore që po kontrollojnë zona të ndryshme malore të qarkut, ndërsa operacioni pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.
Rikujtojmë se edhe ditën e djeshme është zhvilluar një operacion antidrogë në zonën e Krujës, ku u zbuluan parcela me kabais dhe u sekuestruan mijëra bimë.
Lini një Përgjigje