Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Ervin Hodaj, në një konferencë për mediat bëri me dije se është arrestuar Elton Beqiri, autori i dyshuar i plagosjes në Shijak.
“Së pari duke marrë shkas në lidhje me plagosjen në Shijak, është bërë kapja e autorit dhe arrestimi i tij për ‘plagosje e rëndë me dashje’. Ka qenë një angazhim i të gjithë forcave. Një nga metodat e policisë ka qenë edhe bashkëpunimi me familjarët. Nuk pati rezistencë gjatë arrestimit”, tha Hodaj.
Plagosja me armë zjarri ndodhi pasditen e së dielës në Shijak në lagjen “Laguna”, ku deri më tani dyshohet për konflikt për motive të dobëta.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës tha se gjatë kapjes autori Elton Beqiri, nuk bëri rezistencë.
Në konferencën për shtyp, Hodaj bëri edhe bilancin e punës dhe aktivitetin e Drejtorisë për muajin maj.
“Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 383 vepra penale nga të cilat janë zbuluar 382. 117 persona janë vendosur në pranga, 302 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 15 janë shpallur në kërkim.
Janë finalizuar 10 operacione policore, ku janë arrestuar 36 persona. Operacionet kanë konstatuar në fushën e shitjes së lëndëve narkotike ku janë finalizuar 3 operacione, 2 prej tyre për shpërndarjen e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave në Shijak e Kavajë”, tha ai.
Për menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror ai nënvizoi se janë marrë një sërë masash duke përfshirë edhe monitorimin me pajisje inteligjente.
Lini një Përgjigje