Një 23-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Tiranës pasi tentoi të grabiste një subjekt për transferta parash dhe këmbimi valutor në zonën e Shkozës, duke kërcënuar punonjësit me një send në dukje armë zjarri, që rezultoi të ishte plastik.
Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ndodhi mëngjesin e së premtes, kur autori identifikuar si Klejdi Ymeri, hyri në ambientet e subjektit dhe tentoi të merrte një shumë parash nën kërcënimin e sendit që ngjante me armë zjarri.
Gjatë kontrollit në zonën përreth, uniformat blu sekuestruan sendin e përdorur gjatë ngjarjes, i cili dyshohet se ishte përdorur për të frikësuar punonjësit e subjektit.
"Tentoi të vidhte në një subjekt për transferta parash në Shkozë, duke i kërcënuar punonjësit me një send në dukje armë zjarri (por plastike), por falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, autori u neutralizua dhe u vu në pranga.
Sekuestrohet sendi i përdorur gjatë tentativës, i dyshuar si armë zjarri (por plastike).
Menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte hyrë në ambientet e një subjekti për transferta parash dhe, nën kërcënimin e një sendi që dyshohej se ishte armë zjarri, kishte tentuar të vidhte një shumë parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan punën dhe ndërhynë menjëherë për kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë i mundur neutralizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Y., 23 vjeç.
Gjatë kontrollit të zonës përreth u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sendi i përdorur prej tij gjatë ngjarjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.
Lini një Përgjigje