Një 32-vjeçar nga Struga ka rënë në prangat e policisë pasi u kap duke transportuar 1 kilogram heroinë, e cila ishte fshehur në gomën e pasme të një furgoni në aksin rrugor Bulqizë-Librazhd.
Sipas hetimeve, lënda narkotike ishte siguruar në Maqedoninë e Veriut dhe ishte futur ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër. Më pas, ajo do t’i dorëzohej një bashkëpunëtori në vend, me qëllim shpërndarjen në treg.
Operacioni policor i koduar “Trajektorja” u finalizua pas disa javësh hetime nga strukturat e antidrogës në Elbasan. Gjatë kontrollit të imtësishëm të mjetit, efektivët zbuluan heroinën të fshehur brenda një çante shpine të vendosur në gomën rezervë të furgonit.
Në pranga përfunduan Liridon Gega, 32 vjeç, banues në Strugë, dhe Alban Biçaku, 45 vjeç, banues në Durrës, i cili dyshohet se priste ngarkesën për ta hedhur në tregun shqiptar.
Gjatë operacionit u sekuestruan 1 kilogram heroinë, furgoni tip “Fiat” i përdorur për transportin e drogës, dy telefona celularë, si dhe një shumë parash në lekë, euro dhe denarë.
Të dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
"Strukturat hetimore të DVP Elbasan finalizuan operacionin e koduar "Trajektorja", si rezultat i veprimeve hetimore të ndjekura me metoda speciale dhe të mbikëqyrura nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike Heroinë, nga RMV-ja, në Shqipëri. Sekuestrohen 1 kg të kësaj lënde, shuma parash (në lekë, euro dhe dinarë), 2 celularë dhe furgoni, në gomën e pasme të të cilit, ishte fshehur çanta me lëndën narkotike.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Të arrestuar, shtetasi nga RMV-ja që kishte siguruar Heroinën dhe futur në Shqipëri, nëpërmjet kufirit të gjelbër, si dhe shtetasi që priti lëndën, në Shqipëri, me qëllim shitjen.
Si rezultat i një hetimi me metoda speciale, të mbikëqyrur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të dy shtetasve që dyshohet se do të transportonin me automjet, lëndë narkotike Heroinë, të trafikuar nga RMV-ja, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, finalizuan operacionin e koduar “Trajektorja”.
Automjeti i dyshuar, me të cilin lëviznin shtetasi nga RMV-ja, L. G., dhe shtetasi A. B., u ndalua për kontrolle, në aksin rrugor "Bulqizë–Librazhd". Nga kontrollet e imtësishme, u gjet në një çantë shpine, të fshehur në gomën e pasme të automjetit (furgon), 1 kg lëndë narkotike Heroinë, e cila dyshohet se ishte siguruar nga shtetasi L. G., në Maqedoni të Veriut.
Nga hetimi dyshohet se lënda narkotike ishte trafikuar nga ky shtetas, nëpërmjet kufirit të gjelbër, në Shqipëri, ku e priste me qëllim shitjen, shtetasi A. B.. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit L. G., 32 vjeç, banues në Strugë dhe A. B., 45 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, lënda e dyshuar narkotike, automjeti (furgon) tip “Fiat”, 2 celularë, si dhe 40 000 lekë, 50 euro dhe 290 denarë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje