Pajisjet elektronike u zbërthyen në Laboratorin Kriminalistik, ndërsa provat e reja mund të ndikojnë në ndryshimin e akuzës ndaj të dyshuarit.
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet për vrasjen e Eglant Koçit. Kompjuterët e sekuestruar në biznesin e Armand Shakajt kanë nxjerrë në dritë të dhëna që lidhen me llogari të kriptomonedhave, duke përforcuar dyshimet e grupit hetimor se vrasja e Eglant Koçit mund të ketë pasur motive financiare të lidhura me këtë aktivitet.
Sipas burimeve, pajisjet elektronike janë ekzaminuar në Laboratorin e Policisë Shkencore, ku janë zbuluar prova që pritet të kenë rëndësi në vijimin e hetimeve. Në bazë të këtyre gjetjeve, pritet që organi i akuzës të rivlerësojë edhe kualifikimin juridik të çështjes, i cili aktualisht është regjistruar për veprën penale "vrasje me dashje".
Ndërkohë, Armand Shakaj vijon të jetë në kërkim nga autoritetet. Ai dyshohet se vrau mikun e tij, Eglant Koçi, dhe më pas transportoi trupin e pajetë, duke e hedhur në një humnerë në një zonë të thellë të qarkut të Elbasanit.
Vrasja e të riut dhe pistat e hetimit
Përgjigjja e analizave të ADN-së ka konfirmuar se trupi i pajetë i gjetur në zonën e Cërrujës i përket Eglant Koçit, duke i dhënë fund çdo dyshimi mbi identitetin e viktimës. Familjarët e tij pritet të paraqiten pranë Morgut të Tiranës për të tërhequr trupin.
Sipas hetimeve, Koçi dyshohet se është vrarë më 4 qershor nga shoku i tij i ngushtë, Armando Shakaj. Prokuroria dhe Policia kanë rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe dyshojnë se viktima është ekzekutuar me një plumb në kokë në ambientet e lokalit dhe zyrave të tij pranë shkollës "Ismail Qemali" në Tiranë.
Hetuesit dyshojnë se pas krimit, Shakaj ka ndërmarrë një sërë veprimesh për të fshehur gjurmët. Sipas dosjes hetimore, më 5 qershor ai transportoi trupin e viktimës me automjetin tip "Porsche", të cilin më pas e dërgoi me karrotrec drejt fshatit Ibë, duke pretenduar se po e çonte në servis.
Nga aty, ai dyshohet se ka vijuar rrugën drejt zonës së Cërrujës, duke kaluar përmes fshatrave Mollagjesh dhe Funar, përpara se të hynte në një zonë pyjore ku besohet se braktisi trupin e pajetë. Sipas grupit hetimor, itinerari i ndjekur tregon se i dyshuari kishte njohuri të mira për terrenin, pasi frekuentonte shpesh zonën për aktivitete me motorë.
Trupi i Eglant Koçit u gjet në gjendje të avancuar dekompozimi pas afro dy javësh kërkime intensive nga Policia e Shtetit, operacion ku morën pjesë edhe forcat e sigurisë së Kosovës.
Hetimet kanë ngritur dyshime se Armando Shakaj ndodhet ende në territorin shqiptar. Sipas burimeve hetimore, deri tani nuk ka prova që ai të ketë kaluar kufirin, ndërsa informacionet e mbledhura tregojnë se ai mund të ketë lëvizur në disa zona të vendit, kryesisht në Tiranë dhe Elbasan.
Grupi hetimor dyshon gjithashtu se ai ka ndryshuar pamjen e jashtme për t'iu shmangur identifikimit, duke prerë flokët dhe mjekrën, si edhe duke ndryshuar mënyrën e veshjes. Po verifikohet edhe mundësia që ai të jetë ndihmuar nga persona të afërt për t'u fshehur.
Një prej pistave që po hetohet lidhet me një informacion për praninë e tij në zonën e Rrugës së Kosovarëve në Tiranë. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë, hetuesit kanë konstatuar se i dyshuari ka qenë në atë zonë, çka ka përforcuar dyshimet se ai vijon të lëvizë brenda vendit, ndërsa përpiqet t'i shmanget arrestimit.
Lini një Përgjigje