Është publikuar fotoja e autorit të dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Ardian Baloshi, ngjarje e ndodhur mesditën e kësaj të hëne në Kamëz.
Sipas informacioneve të deritanishme, si autor i dyshuar është identifikuar 39-vjeçari Sadik Llanaj, i cili pas krimit dyshohet se është larguar nga vendngjarja me automjet. Burime bëjnë me dije se ai konsiderohet i armatosur, ndërsa forca të shumta policie vijojnë kërkimet për kapjen e tij.
Policia ka ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore dhe po ushtron kontrolle intensive në disa zona të vendit për lokalizimin e të dyshuarit.
Sipas hetimeve paraprake, Ardian Baloshi u qëllua me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha” në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta. I riu u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Burime paraprake bëjnë me dije se konflikti që përfundoi në tragjedi dyshohet të ketë nisur pas një sherri gjatë një loje kalçetoje. Ndërkohë, në polici është shoqëruar edhe dëshmitari okular Amarildo Vukaj, i cili po merret në pyetje për të ndihmuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të krimit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që çuan në vrasjen e 26-vjeçarit.
Lini një Përgjigje