Një zë i veçantë i është bashkuar protestës së sotme në Tiranë, kundër kryeministrit Edi Rama.
Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Mithat Havari i cili ka dalë në mbështetje të protestës të rinisë, ka renditur një sërë arsyeh, përse shqiptarët kanë dalë kundër kësaj qeverisë, duke theksuar shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar të mos heqin dorë deri në largim të Ramës.
“Tirana është dëshmitare që unë kam shkatërruar Parkun Rinia përballë banditëve krimit të organizuar nga Cosa Nostra, miqve të tij. Dhe ku u fsheh ai. Kam bërë shkrime para shumë vitesh, Edi Rama ky hajdut kontributesh. Më futi dhe mik, e poshtërova. Rini shqiptare, kohë më parë një person tha për ju, që u vjen era parfum. Juve ju vjen erë Shqipërie. Ju vjen erë lirie. Ju vjen erë demokracie…Ju sakrifikoni këtu përnatë, para një bishe që nuk dorëzohet. E gjithë Shqipëria është dëshmitare, jeni përballë këtij krimi të organizuar…Koza nostra që e quaj unë, Guxoi të më grabiste kontributin. Edi Rama ky hajdut kontributesh. E pasurova. Ata që vjedhin kontribute vjedhin edhe paratë e popullin. Bashkë me atë që është në burg, bashkë me bashkëshorten e vet që një televizion eglorifikojë… të shohë rinia njerëz të korruptuar. Tani ka ndritur, rinia . Ne jemi gjeneratë tjetër, ju jen gjenerata Z. Kur vajza ime foli ju e mirëpritë.
Ju kemi edukuar, kemi ecur pas këmbëve tuaja që të bëheni të Zot. Ju s’mun të jeni ata që jeni sot, pa ne, mos e harroni, sikurse ju me fëmijët tuaj, ata nuk mund të jetën pa ju. Na quan ne antiamerikanë…Populli që ka vuajtur më shumë nga diktatura e Enver Hoxhës, janë pushkatuar, vrarë. Klasa e këtyre. Nuk jam ekstremist. Shteti është i popullit. Tani ka filluar lëviz për levat eveta. Zoti Lamallari deklaroi se ishte Rama që shkoi në Beograd dhe foli për pavarësinë e Kosovës. Zoti Lamallari të ka përdorur, se t’i nuk guxon pa lejen e ti. Kosovën e çliroi vetë Kosova, me fuqitë e mëdha, me Britaninë e Madhe, të jem mirënjohës. Me vjen keq për Ramush Haradinaj që më vjen turp për Kosovarët që vijnë në protestë. Ramush Haradinaj ne e dimë historinë. Këtu në shesh, janë me plis, një me shqiponjë të zezë, një me të bardhë.
Ka të krahinës së jugut dhe kosovarët e kanë mbrojtur…Kanë bërë luftë të ndikuar nga serbët. Më dëgjo i nderuar, nëse je, çdo të thotë shqiponja e zezë, është vëllazëri e shqiptarëve Ramush"- tha mes të tjerash ai.
Protesta e 27-të përpara Kryeministrisë vijoi edhe me fjalën e një arsimtari, i cili tha se pjesëmarrja e tij në tubim është një detyrim moral dhe u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë protestën deri në largimin e qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si është zhvilluar Tirana dhe kritikoi politikat urbanistike të qeverisë.
"Jam mësimdhënës dhe vij këtu herë pas here, sepse e shoh si detyrë morale. Rama do ta japë dorëheqjen dhe nuk ka ku të shkojë. Lumi popullor është fryrë dhe i pastron pisllëqet. Bota duhet ta kuptojë çfarë ka bërë ky njeri", u shpreh ai.
Më tej, mësimdhënësi e cilësoi kryeministrin si përgjegjës për betonizimin e kryeqytetit.
"Ky njeri e ka bërë Tiranën të tmerrshme. Asnjë krizë e një populli nuk mund të krahasohet me krizën e urbanistikës. Ky është krimineli i betonizimit të Tiranës. Na mori qetësinë dhe u mori fëmijërinë fëmijëve", deklaroi ai.
Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje nga protestuesit, të cilët vijuan të brohorisnin thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Protesta e 27-të përpara Kryeministrisë është shoqëruar edhe me momente emocionesh, teksa aktivistja Gerta Loka nga Mirdita mbajti një fjalim të ndjerë, duke u bërë thirrje qytetarëve të vijojnë protestën deri në arritjen e objektivave të tyre.
E përlotur, ajo tregoi se kishte lënë jetën në Europë për t'u kthyer në Shqipëri, me dëshirën që fëmijët e saj të rriteshin pranë gjyshërve. Megjithatë, sipas saj, realiteti që gjeti në vend ishte zhgënjyes.
"Sot e mora vesh se dy arat ngjitur me stallën mund të vijë një rus apo një iranian t'i blejë, sepse unë nuk i blej dot. Kush nuk ka qenë një herë në spital dhe nuk është kthyer i poshtëruar? Kush nuk ka qenë në doganë dhe nuk është neglizhuar, apo nuk i është nënshtruar administratës? Bashkitë drejtohen nga militantë. Injorantët po e udhëheqin Shqipërinë", u shpreh ajo.
Në fund të fjalës së saj, protestuesja u bëri apel qytetarëve të mos heqin dorë nga protestat.
"Unë dua të mos dorëzohemi! Jemi këtu kundër të gjithë atyre që janë ulur në ato karrige, kundër një sistemi që na dëboi zemrat, për ato nëna që puthin telefonin sepse nuk i kanë fëmijët këtu. Ku jeton, mor zoti Kryeministër? Çohuni, shqiptarë!", deklaroi ajo.
Në ditën e 27-të të protestës qytetare, organizatorët kanë përsëritur kërkesat që, sipas tyre, janë bërë tashmë platforma politike e lëvizjes.
Para godinës së Kryeministrisë, në emër të grupit koordinues të protestës, një protestuese lexoi edhe një herë deklaratën me kërkesat që qytetarët i cilësojnë të panegociueshme, duke theksuar se ato janë ndërtuar mbi propozimet e mbledhura gjatë ditëve të fundit nga pjesëmarrësit në protestë.
Në krye të listës mbetet dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit Edi Rama dhe e gjithë qeverisë, ndërsa kërkohet edhe ngritja e një qeverie teknike transitore jopartiake me mandat 12-mujor.
Protestuesit përsëritën gjithashtu kërkesën për ndryshime kushtetuese, të cilat sipas tyre duhet t'i nënshtrohen referendumit popullor. Mes tyre përfshihen ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike.
Po ashtu, u ritheksua kërkesa për anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe heqjen e statusit të investimeve strategjike.
Grupi koordinues deklaroi se protesta do të vijojë deri në plotësimin e këtyre kërkesave, ndërsa theksoi se një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të hartohet pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë jopartiakë.
Edhe gjatë mbrëmjes së sotme nuk kanë munguar thirrjet "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg", ndërsa protestuesit kanë deklaruar se do të vijojnë të mblidhen çdo ditë deri në realizimin e objektivave të shpallura nga lëvizja.
Një prej pjesëmarrësve në protestën e 27-të para Kryeministrisë, Erald Ndoji, mbajti një fjalim ku tha se babai i tij, Zef Ndoji, ka qenë një nga themeluesit e Partisë Socialiste në Krujë, por sot me lot në sy i thotë se ka gabuar me atë parti pasi janë futur aty kriminelë.
Sipas tij, i ati, i cili ka punuar 45 vite si mësues dhe sot përfiton një pension prej rreth 100 eurosh, shpreh zhgënjim për rrugën që, sipas tij, ka marrë partia.
"Babai im, Zef Ndoji, ka punuar 45 vjet arsimtar dhe sot ka pension 100 euro. Qan kur flet me mua dhe më thotë: 'Kemi gabuar'. Më thotë: 'Na kanë hyrë në parti kriminelë. Këtë nuk ta bëj hallall'. Siç nuk ta bëj hallall 35 vjet nënës sime që ka punuar për të na mbajtur me bukë, kurse ti ke futur kriminelë në parti."- tha protestuesi.
Në fund të fjalës së tij, Ndoji u bëri thirrje protestuesve të vijojnë protestën dhe të qëndrojnë të bashkuar.
"Lutja ime është: mos u dorëzoni deri në fund. Ky nuk e fiton kurrë betejën me njerëz të pastër si ne, të gjithë bashkë. Kjo është beteja e ekzistencës. Bëhuni bashkë", u shpreh ai.
Qytetarët u nisën nga Sheshi "Skënderbej" dhe janë mbledhur para Kryeministrisë, ku kanë nisur fjalimet. Kërkesa mbetet e njëjtë: dorëheqja e Edi Ramës.
Ka nisur protesta e 27-të qytetare kundër kryeministrit Edi Rama dhe kastës politike. Ashtu si në ditët e mëparshme, qindra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin "Skënderbej", për t'u drejtuar më pas në këmbë drejt godinës së Kryeministrisë.
Aktualisht, para Kryeministrisë kanë nisur fjalimet, ndërsa protestuesit vijojnë të brohorasin thirrjet që tashmë janë kthyer në simbol të revoltës: "Rama ik", "Rama jep dorëheqjen", "Shqipëri e re", "Ju erdhi fundi", "Rama në burg" dhe "Berisha në burg".
Qytetarët akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, duke bërë thirrje për bashkim të shqiptarëve.
"Kemi një qeveri kriminale, një qeveri që askush nuk e do. Të bashkohemi për të rrëzuar këtë qeveri kriminale", u shpreh një prej protestueseve.
Protesta hyn kështu në ditën e 27-të, ndërsa revolta, e cila nisi si një kundërshtim ndaj projektit në Zvernec, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike. Organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Në tubim marrin pjesë edhe prindër me fëmijët e tyre, ndërsa gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si "Poshtë diktatura", "Dorëheqje Rama" dhe "Revolucion, Shqipëri e re". Organizatorët kanë paralajmëruar se të shtunën do të zhvillohet një protestë mbarëkombëtare kundër asaj që e cilësojnë "kastën e vjetër politike".
Nis protesta e 27-të. Mijëra qytetarë janë nisur të grumbullohen drejt godinës së Kryeministrisë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tubimit i janë bashkuar protestues të grupmoshave të ndryshme, mes tyre edhe prindër të shoqëruar nga fëmijët e tyre. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë në duar, pjesëmarrësit kanë marshuar në drejtim të Kryeministrisë, duke përsëritur thirrje kundër qeverisë.
Gjatë protestës janë dëgjuar slogane si "Poshtë diktatura", "Dorëheqje Rama" dhe "Revolucion, Shqipëri e re". Këto thirrje pasqyrojnë qëndrimet e protestuesve dhe kërkesat e tyre ndaj qeverisë.
Protestuesit shpalosën edhe një banderolë të madhe me mbishkrimin "Çështja Çame kërkon veprim".
Marshimit drejt Kryeministrisë iu bashkua edhe një qytetar nga Kosova. Ai theksoi se shqiptarët janë të bashkuar, pavarësisht se në cilën anë të kufirit jetojnë.
"Si në Kosovë, si në Shqipëri, gjithë shqiptarë jemi. Kur ka parregullsi, reagojmë të gjithë", u shpreh ai, duke nënvizuar solidaritetin mes shqiptarëve.
Ky është marshimi i 27-të i zhvilluar në kuadër të aksionit protestues që kanë ndërmarrë prej javësh. Ata kanë njoftuar gjithashtu se protesta do të vijojë me një tubim mbarëkombëtar të shtunën, të cilin e prezantojnë si një mobilizim kundër asaj që e cilësojnë "kastë e vjetër politike".
Forca të shumta të Policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e protestës dhe monitorimin e situatës.
Lini një Përgjigje