TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Qershor 2026, 10:33

Amnistia penale drejt miratimit, 446 të dënuar pritet të lirohen menjëherë

Shkruar nga Pamfleti
Amnistia penale drejt miratimit, 446 të dënuar pritet të lirohen
Foto ilustrim

Amnistia penale pritet të miratohet sot në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë seancës plenare të parashikuar për këtë të enjte.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një deklaratë për mediat para nisjes së seancës, bëri të ditur se nga kjo amnisti do të përfitojnë qindra persona të dënuar.

Sipas tij, 446 persona do të lirohen menjëherë nga institucionet e vuajtjes së dënimit pas miratimit të ligjit, ndërsa 869 të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit.

Gogu theksoi edhe një herë se amnistia nuk do të përfshijë asnjë person që është hetuar ose po hetohet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Lirohen 466 persona nga burgjet dhe nga këto persona, këtu janë 11 gra dhe 1 i mitur dhe ulet dënimi për 869 persona dhe këtu kemi 8 gra dhe 8 të mitur. Asnjë person dhe asnjë vepër që është nën juridiksionin e SPAK nuk përfitojnë”, tha Gogu.

Përveç amnistisë penale, seanca e sotme parlamentare parashikon edhe zhvillimin e katër interpelancave me anëtarë të kabinetit qeveritar.

Pak ditë më parë, Komisioni i Ligjeve miratoi projektligjin për amnistinë penale dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare. Për t’u miratuar, projektligji kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Kryetari socialist i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, u bëri thirrje edhe deputetëve të opozitës të kontribuojnë për sigurimin e mbështetjes së nevojshme për miratimin e tij.

Lini një Përgjigje