TAGS-AT E JAVËS

Politike 4 Qershor 2026, 13:09

BE hap rrugën për roaming pa tarifa në Ballkan

Shkruar nga Pamfleti
BE hap rrugën për roaming pa tarifa në Ballkan
Këshili i BE

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia synojnë t’i bashkohen zonës së roamingut të BE-së pa tarifa shtesë...

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot hapjen e negociatave me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, me qëllim zgjerimin e zonës së BE-së “Roam Like at Home” për këta partnerë.

Zona “Roam Like at Home” u mundëson konsumatorëve të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin celular gjatë udhëtimeve jashtë vendit pa paguar tarifa shtesë roamingu, në të njëjtat kushte si në vendin e tyre. Aktualisht, kjo zonë përfshin shtetet e Bashkimit Evropian, vendet e Zonës Ekonomike Evropiane, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë, si edhe Moldavinë dhe Ukrainën.

Në një njoftim për shtyp, zëvendësministrja për Çështjet Evropiane e Qipros, Marilena Raouna, vendi i së cilës mban aktualisht presidencën e Këshillit të BE-së, deklaroi se vendimi dërgon një sinjal të qartë për angazhimin e Bashkimit Evropian ndaj rajonit.

“Lidhshmëria më e madhe krijon më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe bashkëpunimin ekonomik. Duke punuar për zgjerimin e një zone të përbashkët roamingu, ne po i bëjmë përfitimet e integrimit evropian të prekshme në jetën e përditshme të njerëzve”, tha Raouna.

Pas vendimit të sotëm, Komisioni Evropian do të nisë negociatat për marrëveshje sektoriale me secilin prej gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Këto marrëveshje do të mbështeten në Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit (MSA), të cilat synojnë të forcojnë stabilitetin, integrimin ekonomik dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Sipas Këshillit të BE-së, marrëveshjet sektoriale do të përcaktojnë kuadrin institucional të nevojshëm për zbatimin dhe administrimin e tyre.

Përpara se të bëhet pjesë e zonës “Roam Like at Home”, secili partner i Ballkanit Perëndimor duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e tij me acquis-in e BE-së për roamingun dhe ta zbatojë atë në praktikë. Komisioni Evropian do të vlerësojë nivelin e përputhshmërisë dhe, nëse rezultatet janë pozitive, do të konfirmojë se kushtet e nevojshme janë përmbushur.

Pas një vlerësimi pozitiv, organet e përbashkëta të krijuara në kuadër të marrëveshjeve përkatëse do të mund të vendosin për hapjen reciproke të tregjeve të roamingut midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të përdorin shërbimet e roamingut pa tarifa shtesë gjatë udhëtimeve ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.

 

 

be roaming ballkan

Lini një Përgjigje