Debati nisi pas deklaratës së Ramës për 8.5 miliardë euro hyrje valutore në ekonomi. Beqiraj e cilëson shifrën të pajustifikuar me të dhënat zyrtare, ndërsa Ibrahimaj flet për "aritmetikë". Ish-zv.ministrja i kërkon debat publik.
Një debat i fortë publik është zhvilluar mes ish-zëvendësministres së Financave, Irena Beqiraj, dhe ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, lidhur me arsyet e forcimit të lekut dhe shifrat e përdorura nga kryeministri Edi Rama për hyrjet valutore në ekonominë shqiptare.
Shkëndija e përplasjes ishte një status i Irena Beqirajt, e cila vuri në pikëpyetje deklaratën e kryeministrit se në Shqipëri kanë hyrë 8.5 miliardë euro nga turizmi dhe investimet e huaja, duke argumentuar se sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, fluksi real shtesë është dukshëm më i ulët.
Beqiraj llogarit se të ardhurat neto nga turizmi, investimet e huaja dhe remitancat arrijnë në rreth 4.6 miliardë euro, ndërsa ironizon se diferenca prej afro 4 miliardë eurosh mund të shpjegohet vetëm nëse përfshihen para që vijnë nga ekonomia informale apo aktivitetet e paligjshme.
Deklarata e saj solli reagimin e ministres Delina Ibrahimaj, e cila kundërshtoi llogaritjet e ish-zëvendësministres, duke argumentuar se shifra prej 8.5 miliardë eurosh është rezultat i mbledhjes së të ardhurave bruto nga turizmi, investimeve të huaja dhe remitancave, ndërsa akuzoi Beqirajn se po ngatërron treguesit bruto me ata neto.
Por debati nuk u mbyll me kaq.
Në një reagim të dytë, Irena Beqiraj i është përgjigjur ministres me tone edhe më të forta, duke treguar një episod nga koha kur u emërua në drejtimin e Doganave dhe më pas si zëvendësministre e Financave. Ajo shkruan se nuk ka asnjë mllef personal ndaj Ibrahimajt, por e akuzon se po mbron një narrativë politike në kundërshtim me analizën ekonomike.
Beqiraj shprehet se ministrja ka njohuritë e nevojshme në makroekonomi, por se është detyruar të mbrojë publikisht qëndrimin e qeverisë. Në fund të reagimit, ajo i bën thirrje Delina Ibrahimajt për një debat publik televiziv, ku të diskutojnë mbi forcimin e lekut, investimet e huaja, produktivitetin, ofertën monetare, pensionet, buxhetin dhe tregues të tjerë makroekonomikë.
Ah Delina si ka mundesi :(