Protestat kundër projektit turistik në Zvërnec po vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Pas sinjaleve kritike të ardhura nga Ambasada Gjermane në Tiranë mbi të drejtën për protestë, edhe artikujve nga “DW”, “Der Spiegel”, ‘ZDF’, etj, revista prestigjioze gjermane "Stern" i ka kushtuar një artikull situatës në Shqipëri. Në analizën e saj, revista përshkruan "Revolucionin e Flamingove" si një lëvizje që po ushtron presion në rritje ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur revoltën jo vetëm me projektin e resorteve luksoze, por edhe me pakënaqësinë ndaj sistemit politik dhe qeverisjes në vend. Po ashtu sipas saj, shqiptarët duan si Ramën ashtu dhe Berishën në burg.
Mijëra njerëz po protestojnë në Tiranë kundër një projekti të diskutueshëm për ndërtimin e resorteve luksoze në një zonë të mbrojtur natyrore, duke ushtruar presion mbi kryeministrin Edi Rama me simbolin e flamingove rozë. A po afrohet një ndryshim politik në vendin e vogël ballkanik?
Në Shqipëri, protestat masive kundër projektit turistik në bregdetin e Adriatikut hynë të mërkurën në ditën e 39-të. Edhe një mbrëmje më parë, mijëra qytetarë marshuan drejt selisë së qeverisë në Tiranë për të protestuar kundër projektit. Pas ndërtimit të planifikuar të resorteve luksoze në një zonë të mbrojtur natyrore në grykëderdhjen e lumit Vjosa qëndron investitori amerikan Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Çfarë parashikohet të ndërtohet?
Në lagunën e Zvërnecit dhe në ishullin përballë, Sazan, parashikohet të ndërtohen resorte luksoze, hotele, vila, marina jahtesh dhe infrastrukturë tjetër turistike. Nuk bëhet fjalë për një projekt të turizmit masiv, por edhe si destinacion luksoz investimi synon të tërheqë mijëra vizitorë me pagesë. Vlera totale e investimit llogaritet nga 4 deri në 5 miliardë euro. Për Shqipërinë, një nga vendet më të varfra të Evropës, kjo përbën një shumë të jashtëzakonshme.
Pse ka kaq shumë shqiptarë kundër?
Projekti shtrihet në një pjesë të zonës së mbrojtur Narta-Vjosa, e cila përfshin lagunën e Nartës dhe deltën e lumit Vjosa. Zona është habitat i shumë specieve të mbrojtura, mes tyre flamingot, shpendë të tjerë dhe breshkat e detit. Dunat e lagunës së Nartës përbëjnë një ekosistem unik në Evropë. Kundërshtarët e projektit kanë frikë se ndërtimet do të shkatërrojnë zonat e shumimit dhe folezimit të këtyre specieve të rrezikuara. Shumë protestues mbajnë pankarta me flamingo rozë, prandaj vala e protestave është quajtur shpesh "Revolucioni i Flamingove".
Si është e mundur të ndërtohen hotele në një zonë të mbrojtur?
Kryeministri socialist Edi Rama është një mbështetës i fortë i projektit të Kushner. Dy vjet më parë ai ndryshoi legjislacionin për zonat e mbrojtura, duke bërë të mundur zhvillimet turistike në këto zona, në kushte të caktuara. Për më tepër, qeveria e tij e klasifikoi projektin si "investim strategjik", një status që thjeshton ndjeshëm procedurat e miratimit dhe ato administrative.
Si reagon Rama ndaj protestave?
Rama deklaroi se protestat janë të gabuara, sepse "ende nuk ka një projekt". Ai akuzon ambientalistët, të cilët furnizojnë protestuesit me argumente, se përdorin "fakte të rreme". Nga ana tjetër, ai vetë nuk paraqet fakte konkrete dhe flet vetëm në mënyrë të përgjithshme, duke e cilësuar projektin miliardësh si "një dhuratë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Evropën". Në këtë klimë mungese transparence, shumë të dhëna lidhur me projektin mbeten ende të panjohura.
A drejtohen protestat edhe kundër kryeministrit Rama?
Po. Kërkesa për dorëheqjen e menjëhershme të tij është pjesë e çdo proteste. Rama konsiderohet gjithashtu i ekspozuar ndaj korrupsionit, ndërsa ndaj disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, si kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, po zhvillohen procedura për dyshime korrupsioni. Protestuesit thonë se duan të shohin në burg jo vetëm Ramën, por edhe rivalin e tij të përhershëm, liderin e opozitës Sali Berisha. Politikani 81-vjeçar ishte president i Shqipërisë nga viti 1992 deri në 1997 dhe kryeministër nga viti 2005 deri në 2013. Shtetet e Bashkuara e kanë futur atë në listën e sanksioneve për korrupsion.
A po lind një revolucion kundër sistemit aktual në Shqipëri?
Shqipëria ishte, deri në ndryshimet demokratike, vendi komunist më i ashpër dhe më represiv në Evropë. Rama, fillimisht artist, është djali i një skulptori komunist që krijoi statuja të diktatorit Enver Hoxha. Berisha, në rininë e tij, ishte kardiologu i Hoxhës. Edhe pse pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri u krijuan kushte relativisht demokratike, politika dominohet pothuajse tërësisht nga Partia Socialiste, e drejtuar nga Rama që prej vitit 2005, dhe Partia Demokratike e Berishës.
Sipas artikullit, të dyja forcat politike dyshohet se kanë lidhje me krimin e organizuar. Protestuesit shprehin vazhdimisht dëshirën për ta tejkaluar këtë sistem që e konsiderojnë jofunksional. Për ta, shpërfillja e mbrojtjes së natyrës në emër të fitimit është vetëm një nga anomalitë e shumta të jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Sa janë shanset që "Revolucioni i Flamingove" të sjellë një Shqipëri më të mirë?
Për momentin, pavarësisht numrit të madh të protestuesve, nuk duket se lëvizja e re është në gjendje të thyejë strukturat e ngurta dhe të konsoliduara të politikës shqiptare. Asaj, për momentin, i mungojnë strategjia, figurat drejtuese dhe aftësia për të ndikuar në një pjesë të shoqërisë jashtë qyteteve të mëdha, si Tirana. Megjithatë, vrulli i protestuesve duket i pandërprerë, ndaj nuk pritet që protestat të zbehen së shpejti. /Pamfleti
Lini një Përgjigje