Në selinë e PD-së ka nisur mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të kësaj partie, anëtarët e së cilës u zgjodhën nga Kuvendi Kombëtar i mbajtur pak javë më parë.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar pritet të zgjedhë kreun e këtij forumi, që është drejtuar nga Edi Paloka prej disa vitesh, por që nuk do të rikandidojë më për këtë funksion.
Mbledhja e Këshillit Kombëtar ka 3 pika në rendin e ditës:
1-Zgjedhja e Kryetar/it/es së Këshillit Kombëtar
2-Zgjedhja e Kryesisë së PD
3-Të tjera.
Propozimet për emrat e rinj që do të jenë pjesë e strukturës drejtuese të PD-së do të propozohen nga kreu demokrat, ndërkohë që anëtarët e Këshillit Kombëtar kanë të drejtë të propozojnë kandidatura të tjera, nëse do të ketë të tilla.
Sali Berisha e konsideroi përbërjen e Këshillit Kombëtar si më të fuqishmin që PD ka zgjedhur në të gjithë historinë e saj.
“Misioni ynë është rikthimi i votës së lirë dhe rotacioni i pushtetit”, tha Berisha, duke shtuar se kjo mbledhje zhvillohet në një nga kohërat më të veçanta të tërë historisë së pluralizmit politik.
Ai u ndal te protestat qytetare, që i konsideroi si zgjim të gjeneratës Z. “Lëvizja liberatore ka shpërthyer në Shqipëri. PD e cila zhvilloi një lëvizje epike, ka mbështetur fuqimisht këtë lëvizje, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, tha Berisha.
Ai u shpreh se një lëvizje e ngjashme me këtë të ditëve të fundit është zhvilluar në kohën kur Edi Rama kërkonte të sillte në Shqipëri armët kimike. “Në atë kohë betejën e zhvilluan studentët dhe gjimnazistët, që u derdhën në rrugë, dhe detyruan despotin të anulonte vendimin e tij”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje