TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Qershor 2026, 12:04

Mazhoranca dhe opozita debat në Konferencën e Kryetarëve; Bardhi kërkon mocion me debat, Balla kundërshton

Shkruar nga Pamfleti
Mazhoranca dhe opozita debat në Konferencën e Kryetarëve; Bardhi
Bardhi-Balla

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, foli për kërkesën e opozitës për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me protestën dhe kërkesat e qytetarëve.

Sipas tij, mazhoranca po përpiqet të shmangë debatin mbi raportin e Parlamentit Europian.

“Pse i fshiheni debatit për raportin e Parlamentit Europian? Hajdeni dhe ta bëjmë debatin në seancë. Gjeni paragrafin që ju vlerëson. Keni dy javë që na keni lodhur veshët duke folur për një rezolutë historike që, sipas jush, vërteton sukseset e mëdha të qeverisë. Atëherë pse fshiheni?

Apo e vërteta është një tjetër? Kjo rezolutë ju nxin në çdo fjali, nga fillimi deri në fund. Ajo flet për ligje korruptive. Ngre alarmin për lirinë e medias. Ju nuk mund ta mohoni këtë debat parlamentar. Keni qenë vetë ju, e përsëris, që në seancë keni thënë se debati parlamentar do të zhvillohet pasi raporti të miratohet në Parlamentin Europian.

Kjo është një detyrë që ne duhet ta bëjmë. Nëse ky Kuvend nuk e ka thjesht propagandë integrimin europian, atëherë e ka detyrë të zhvillojë këtë debat”, u shpreh Bardhi.

Më tej, ai theksoi se opozita nuk synon të flasë në emër të protestës, por të përcjellë në Kuvend shqetësimet dhe kërkesat e qytetarëve.

“Nuk jemi ne si ju, që çdo ditë fshiheni pas vrimës së çelësit dhe denigroni vajza e gra që protestojnë. Po lini nam. Ti, Ulsi, qesh sepse sheh makinat e emigrantëve, por nuk sheh makinat tuaja. Ajo që po bëni është skandaloze dhe detyra jonë është t’i dëgjojmë qytetarët. Këtë po bëjmë ne, dëgjojmë zërin e tyre dhe përdorim çdo instrument që kemi në dorë për të përcjellë shqetësimet dhe kërkesat e tyre”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kundërshtoi kërkesën e opozitës, duke argumentuar se ajo nuk përmbush kriteret e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë.

“Kërkesa nuk përmbush kriteret e nenit 98. Mund ta bazoni në nenin 101 mocionin e mosbesimit. Duhet të propozoni edhe një Kryeministër të ri. E keni ju këtë?”, u shpreh ai.

Balla akuzoi gjithashtu opozitën se po deformon kërkesat e protestuesve dhe se po flet në emër të tyre pa pasur legjitimitet.

“Pse ia deformoni kërkesat protestuesve? Ju thoni pesë kërkesa, por vetëm njëra përputhet me ato që janë bërë publike. Rrëzimi i qeverisë, qeveri teknike, ligji për partitë politike e të tjera janë deformime të kërkesave të protestës”, tha Balla.

Në përfundim, ai kujtoi edhe kufizimet procedurale për interpelancat parlamentare.

“Ju e dini që neni 89, që rregullon interpelancat, nuk lejon zhvillimin e dy interpelancave për të njëjtën çështje brenda një sesioni parlamentar. Ju mund ta tërhiqni dhe ta riformuloni kërkesën”, përfundoi Balla.

bardhi balla mocion mr debat

Lini një Përgjigje