Bashkëpunimi rajonal nuk është më një çështje dytësore, por një element i rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës. Kështu u shpreh Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë aktivitetit të organizuar me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Eurorajonit Adriatiko-Jonian, me temë “Vizioni për të ardhmen e Eurorajonit Adriatiko-Jonian”.
Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit e cilësoi Eurorajonin si një model të suksesshëm të bashkëpunimit ndërkufitar dhe një shembull konkret të solidaritetit evropian, që prej dy dekadash ka afruar komunitetet, ka forcuar partneritetet dhe ka sjellë përfitime për qytetarët.
Begaj theksoi se, përballë sfidave të reja gjeopolitike, ekonomike, teknologjike dhe mjedisore, rajonet që bashkëpunojnë janë më të afta të tërheqin investime, të mbrojnë mjedisin, të zhvillojnë infrastrukturën dhe të krijojnë mundësi të reja për qytetarët.
Presidenti vlerësoi gjithashtu kontributin e Eurorajonit në krijimin e urave të bashkëpunimit mes autoriteteve vendore e rajonale, universiteteve, institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe sipërmarrjeve, duke i kthyer mundësitë evropiane në përfitime konkrete për komunitetet lokale.
Duke u ndalur te procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, Begaj tha se nisma të tilla ndihmojnë vendin në afrimin me standardet evropiane dhe në forcimin e kulturës së bashkëpunimit dhe solidaritetit mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Evropian.
Në fund, Begaj uroi Kryetarin e Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi për marrjen e kryesimit e Eurorajonit për një periudhë 5- vjeçare.
Lini një Përgjigje