
Në 10:00 tubim para Kuvendit, në 19:00 protestuesit marshojnë drejt Kryeministrisë
Protestuesit kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij do të zhvillojnë sot dy tubime në Tiranë.
Protesta e parë është parashikuar të nisë në orën 10:00 para Kuvendit të Shqipërisë, në kohën kur do të zhvillohet edhe seanca plenare. Më pas, në orën 19:00, protestuesit do të grumbullohen në sheshin "Skënderbej", për të marshuar drejt godinës së Kryeministrisë.
Organizatorët kanë ftuar qytetarët nga i gjithë vendi, si edhe shqiptarët e diasporës, t'u bashkohen protestave, duke theksuar se kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Sipas tyre, protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kësaj kërkese.
Ende nuk është bërë i ditur skenari që protestuesit do të ndjekin gjatë tubimeve të sotme, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë forma të reja reagimi.
Kujtojmë se gjatë protestës së 31-të para Kuvendit u regjistruan tensione mes protestuesve dhe forcave të Policisë. Një pjesë e protestuesve goditën me vezë automjetet e deputetëve, ndërsa më pas policia ndërhyri duke shoqëruar gjashtë persona, mes tyre edhe aktivistin Dritan Goxhaj.
Pas shoqërimit, dhjetëra protestues u mblodhën fillimisht pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe më pas te Komisariati Nr. 1, ku kërkuan lirimin e tyre. Pas disa orësh qëndrimi në ambientet e policisë, të gjashtë protestuesit u lanë të lirë.
Lini një Përgjigje