TAGS-AT E JAVËS

Politike 2 Korrik 2026, 10:38

Incidentet para Kuvendit, Rama provokon protestuesit: Korbat dhe sorrat po i bëjnë presion fizik deputetëve

Shkruar nga Pamfleti
Incidentet para Kuvendit, Rama provokon protestuesit: Korbat dhe sorrat po i
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka folur ditën e sotme për incidentet para Kuvendit, kur protestues goditë me vezë makinat e deputetëve dhe u konfliktuan me policinë.

Në një bashkëbisedim me pensionistët, Rama u shpreh se ata janë korba e sorra, pasi protestuesit e vërtetë janë paqësorë.

“Kur shkon atje, një grup për të ushtruar presion fizik ndaj deputetëve, jemi në rrethana të tjera. Por ata nuk janë flamingo, ata janë paqësore. Sorrat dhe korbat janë të dhunshëm. Flamingot do i trajtojmë me shumë respekt. Me sorrat dhe korbat nuk kemi çfarë bëjmë fare. Në fund ata do jenë përsëri të humbur. Do shpërndahen kokrra kokrra”, theksoi ai.

Ndërkohë ditën e sotme policia ka vendosur masa të shtuara sigurie para Kuvendit dhe ka shoqëruar pesë persona për sulmet me vezë ndaj deputetëve.

Kjo është protesta e dytë brenda pak ditësh që zhvillohet pranë Parlamentit, pas tubimit të organizuar të martën.

Protestuesit e parë mbërritën në zonën përreth Kuvendit që në orët e para të mëngjesit. Gjatë grumbullimit, ata hodhën miell në drejtim të automjetit të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.

Perimetri i Parlamentit u rrethua me barriera metalike për të kufizuar lëvizjen pranë hyrjeve të godinës, ndërsa forca të shumta policie u vendosën në terren.

Gjatë fazës së parë të tubimit, policia shoqëroi pesë persona në komisariat. Deri në atë moment nuk u dhanë detaje zyrtare për arsyet e shoqërimit.

Reagimi i protestuesve nuk u drejtua vetëm ndaj përfaqësuesve të mazhorancës. Në momentin kur disa deputetë të Partisë Demokratike mbërritën pranë Kuvendit, ata u pritën me thirrje kundërshtuese nga turma.

"Opozitë e shitur", dëgjohej të brohoritej nga protestuesit në drejtim të deputetëve demokratë. Po ashtu, gjatë hyrjes së tyre në Parlament u hodhën edhe thirrje të tjera si "Nuk na përfaqësoni" dhe "Rama burg, Berisha burg".

Protesta vijon nën mbikëqyrjen e forcave të policisë, ndërsa tensionet jashtë Kuvendit u zhvilluan paralelisht me përgatitjet për nisjen e seancës plenare.

incidentet para kuvendit

1 Komente

  1. V
    Visi

    O Korb! O njeri qe e ke shitur kete vend! Turp te kesh dhe turpi te mbulofte!

    Lini një Përgjigje