Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mori pjesë në një takim të organizuar nga Departamenti i Arsimit, ku u ndal te protestat e studentëve dhe situata në universitetet e vendit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si presion ndaj studentëve që marrin pjesë në protesta, duke pretenduar se në disa raste pedagogë të caktuar kanë ushtruar ndikim ndaj tyre në periudhën e provimeve.
Ai u kërkoi anëtarëve të Departamentit të Arsimit që të mbrojnë studentët dhe të reagojnë ndaj çdo forme presioni që mund të ushtrohet ndaj tyre.
Kreu i demokratëve theksoi se protestat po udhëhiqen nga qytetarët dhe të rinjtë, duke shtuar se ato nuk duhet të identifikohen me forca të caktuara politike.
Sipas Berishës, Partia Demokratike duhet të japë kontributin e saj në këto tubime, por duke marrë pjesë si qytetare dhe jo me simbole partiake.
Berisha e cilësoi protestën si mjetin më të rëndësishëm për ndryshimin e situatës në vend dhe u bëri thirrje qytetarëve, veçanërisht të rinjve, që të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre.
“Disa informacione shumë shqetësuese tregojnë se janë bërë presione mbi studentët. Studentët janë në provime. Dhe studentët janë masivisht në protestë, por ka edhe pedagogë që u kanë bërë presion atyre.
Ju, në departamentet tuaja duhet të jeni avokatë të studentëve dhe nuk duhet të pajtoheni me asnjë njeri që u bën presion studentëve.
Aty ka njerëz të të gjitha bindjeve, të jemi realistë… se janë ca opozitë e opozitës që mendon se ajo është në timon, por ajo në fakt është si miza e Diderot që mendonte se tërheq karrocën dhe jo kali.
Protestën e tërheqin qytetarët aty dhe të rinjtë që rrinë gjashtë orë, pesë orë, i lajnë rrugët e Tiranës me energjinë dhe entuziazmin e tyre.
Protesta është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë. Kështu që unë ju ftoj, secilin prej jush, të japë kontributin më të madh të mundshëm. Është një moment historik që kjo protestë të ketë sukses. Është një moment shpëtimtar për Shqipërinë.
PD duhet të japë ndihmesën e merituar. Ne shkojmë aty si qytetarë. Nuk shkojmë me simbolet e partisë tonë, por me fibrën qytetare. Flamuri i tyre është ai i qytetarëve, për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Kështu që, është rast i jashtëzakonshëm për çdo qytetar shqiptarë, për çdo të ri që t’i japë një dorë vendit të tij”, u shpreh Berisha.
Ik edhe ti o Sale se e ke ndrit !