Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu kundërpërgjigj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist tha se zhvillimet e fundit dhe sulmet ndaj projekteve strategjike e kanë bërë të mendojë edhe largimin nga politika dhe kthimin në “katund”.
Berisha e cilësoi Ramën një “mashtrues ordiner” dhe paralajmëroi se fundi i tij politik nuk do të jetë në fshat, por në qeli.
Nga foltorja e Kuvendit, Berisha sulmoi qeverinë për projektet infrastrukturore dhe turizmin, duke u ndalur veçanërisht te aeroporti i Vlorës, për të cilin tha se ekspertët kishin paralajmëruar prej kohësh se vendndodhja e zgjedhur ishte e gabuar.
"Del Vangjel Tavo, rrafshon një kodër atje, e keni parë apo jo, në Vuno. Të tjerë thonë se po përgatit banesën e arratisë Edi Rama. Edhe një herë po i them: Harroje se do shkosh në katund. Katundi yt Edi Rama, do të jetë qelia. Do të jetë qelia, do të jetë qelia", tha ai.
Deklaratat e Berishës erdhën vetëm pak orë pasi Rama, gjatë një takimi me deputetët socialistë, foli për reagimet ndaj projektit turistik në Zvërnec dhe tha se klima e krijuar kundër investimeve e kishte bërë të mendonte edhe largimin nga jeta politike.
“Për mua këto janë ditë të habitshme që për herë të parë më kanë bërë të mendoj edhe që t’iu përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’iu kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe për t’iu lënë në duart që do zgjidhni vetë për të mbrojtur Shqipërinë nga të huaj. Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’iu udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe e dua po ashtu siç e doni ju”, deklaroi Rama.
Lini një Përgjigje