Teksa Kupa e Botës ka hyrë në fazat vendimtare të saj, shefi i arbitrave të FIFA-s, Pierluixhi Kolina, ka bërë një vlerësim të ecurisë së arbitrimit deri në këtë pikë të turneut, duke mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e trupës së gjyqtarëve.
Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA-s, ish-arbitri italian theksoi se vendimmarrja e arbitrave nuk ndikohet nga asnjë faktor i jashtëm, përfshirë edhe drejtuesit më të lartë të organizatës.
"Askush nuk mund ta vërë në dyshim integritetin e arbitrave të ndeshjeve të Kupës së Botës dhe askush nuk mund të pretendojë se arbitrimi i FIFA-s është ndikuar nga dikush, qoftë edhe nga presidenti Xhani Infantino. Infantino ka treguar gjithmonë mbështetje të plotë për ekipin e arbitrave të FIFA-s, duke besuar në aftësinë tonë për të vepruar me pavarësi të plotë. Arbitrat marrin vendime në mirëbesim dhe, ashtu si futbollistët dhe trajnerët, përpiqen gjithmonë të japin maksimumin", u shpreh Kolina.
Duke bërë bilancin e pjesës së parë të turneut, Kolina u shpreh përgjithësisht i kënaqur me nivelin e arbitrimit, edhe pse pranoi se jo gjithçka ka funksionuar në mënyrë perfekte.
"Në përgjithësi jemi të kënaqur. Megjithatë, duke pasur parasysh numrin e madh të ndeshjeve të zhvilluara në një periudhë relativisht të shkurtër, është normale që jo çdo gjë të ketë shkuar sipas parashikimeve", deklaroi ai.
Kolina komentoi edhe një nga episodet më të diskutuara të turneut, anulimin e golit të Zikos në sfidën Egjipt-Argjentinë, kur rezultati ishte 1-0 në favor të afrikanëve. Ndeshja përfundoi me fitoren 3-2 të Argjentinës.
Sipas tij, vendimi ishte në përputhje me protokollin e sistemit VAR.
"Atia shihet qartë se i shkel këmbën Lisandro Martínez. Pas çdo goli, VAR kontrollon fazën e zotërimit të topit gjatë aksionit sulmues. Nëse identifikohet një faull në ndërtimin e aksionit, siç ndodhi në këtë rast, dhe ai ka ndikim në shënimin e golit, VAR rekomandon rishikimin e episodit. Nuk ekziston asnjë kufi, as për distancën nga porta dhe as për kohën që ndan episodin nga momenti i shënimit të golit", sqaroi Kolina.
Lini një Përgjigje