TAGS-AT E JAVËS

Kosova16 Qershor 2026, 10:34

Diaspora i jep Vetëvendosjes një tjetër mandat, partia e Kurtit arrin në 52 deputetë në Kuvend

Shkruar nga Pamfleti
Diaspora i jep Vetëvendosjes një tjetër mandat, partia e Kurtit
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar deri tani 52 ulëse në Kuvend, pas numërimit të afro 50 mijë votave të ardhura me postë dhe rreth 22 mijë votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike. Procesi i numërimit ende nuk ka përfunduar, pasi kanë mbetur edhe rreth 35 mijë zarfe me vota nga posta, si dhe afërsisht 11 mijë vota me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Sipas rezultateve të përgjithshme aktuale, Vetëvendosje kryeson me 45.89 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 19.96 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17.04 për qind. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban vendin e katërt me 6.89 për qind të votave.

Sa i përket ndarjes së mandateve deri në këtë fazë, Vetëvendosje ka siguruar 52 ulëse, PDK-ja 22, LDK-ja 19 dhe AAK-ja 7.

Në rezultatet paraprake, Vetëvendosje kishte marrë 42.96 për qind të votave, që përkthehej në 48 mandate. Ndërkohë, ajo ka dominuar bindshëm në votimin në përfaqësitë diplomatike me mbi 83 për qind të votave, si dhe në votimin me postë ku ka siguruar 70.26 për qind.

Bazuar në ecurinë e deritanishme të numërimit, dhe me rreth 40 mijë vota ende të panumëruara, ndryshime të mëdha në përbërjen e mandateve duken të vështira për t’u projektuar. Për të siguruar edhe një mandat shtesë, Vetëvendosjes do t’i duhet të ruajë një mbështetje mbi 70 për qind në votat e mbetura nga posta, si dhe në votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.

Mandatet në Kuvend ndahen sipas formulës D’Hondt. Pas zgjedhjeve të zhvilluara më 7 qershor, pritet konstituimi i Kuvendit, si dhe zgjedhja e presidentit dhe formimi i Qeverisë. Për krijimin e shumicës parlamentare dhe formimin e ekzekutivit nevojiten 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet kuorumi prej 80 deputetësh në dy raundet e para të votimit.

Lini një Përgjigje