Kombëtaret shqiptare të vajzave U-17 dhe U-19 kanë mësuar këtë të enjte kundërshtaret e tyre në raundin e parë kualifikues të Kampionatit Europian.
Sipas shortit të hedhur në selinë e UEFA-s, Kombëtarja U-17, e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj, është pozicionuar në Grupin B1 së bashku me Irlandën, Kosovën dhe Azerbajxhanin. Shqipëria do të jetë pjesë e Ligës B dhe do të synojë të sigurojë ngjitjen në Ligën A për fazën e dytë të kualifikueseve të Europianit 2027.
Vendi organizator i mini-turneut do të përcaktohet në ditët në vijim, pas dakordësimit mes katër federatave pjesëmarrëse: Federatës Shqiptare të Futbollit, Federatës së Futbollit të Kosovës, Federatës Irlandeze të Futbollit dhe Federatës së Azerbajxhanit.

Ndërkohë, edhe Kombëtarja U-19 për vajza ka njohur rivalet e saj për raundin e parë kualifikues të Kampionatit Europian 2026-2027. Në shortin e zhvilluar në UEFA, vajzat kuqezi mësuan se do të përballen me Letoninë, Qipron dhe Moldavinë në Grupin B1 të Ligës B.
Skuadra e drejtuar nga trajnerja Daniela Kodra do të kërkojë gjithashtu kalimin në Ligën A, objektiv që siguron pjesëmarrjen në raundin e dytë kualifikues të kompeticionit kontinental.
Federatat përkatëse pritet të përcaktojnë së shpejti vendin organizator të ndeshjeve, si edhe kalendarin zyrtar të këtij raundi kualifikues.

Lini një Përgjigje