Dy javët e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për Igli Taren. Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare u përball fillimisht me fundin e projektit të tij te Milani, duke u larguar nga detyra si drejtues i klubit kuqezi. Paralelisht, ai u thirr për të dhënë dëshmi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e njohur si “Balluku”, ku janë ngritur akuza për pastrim parash.
Gjatë kësaj periudhe, Tare ka zgjedhur të mos bëjë deklarata publike. Megjithatë, ai u shfaq papritur në darkën përmbyllëse të sezonit të organizuar nga “Milan Club Old Clan” në Milano, një prej grupeve historike të tifozëve të klubit, ku ishte i ftuar nga organizatorët.
Në fjalën e tij para tifozëve, Tare shprehu mirënjohjen për mbështetjen e marrë gjatë kohës së qendrimit te Milani.
“Pranova këtë ftesë me kënaqësi të madhe dhe krenari, pasi kur mbërrita vitin e kaluar, takimin e parë e bëra me ju dhe mora menjëherë atë që kam dashur gjithmonë, dashurinë për këtë fanellë dhe këto ngjyra”, deklaroi ai.
Ish-drejtuesi kuqezi nuk fshehu zhgënjimin për faktin se skuadra nuk arriti të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
“Ndjehem pak në faj, pasi në javën e fundit nuk ia dolëm që ta çonim Milanin në Champions. Por mbetet diçka, Milani është më i madh se të gjithë”, tha Tare.
Duke reflektuar mbi eksperiencën e tij në klubin italian, ai theksoi se periudha, edhe pse e shkurtër, do të mbetet e veçantë për të.
“Dhe ndonëse vetëm për një vit, për mua ka qenë një nder i madh të punoj për këtë klub dhe do të jeni gjithmonë kudo që të jem”, u shpreh Tare para pjesëtarëve të grupit të tifozëve.
Lini një Përgjigje