TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Korrik 2026, 17:01

Kongo shkruan historinë në Kupën e Botës, “Leopardët” bashkuan një vend të përçarë nga lufta

Shkruar nga Pamfleti
Kongo shkruan historinë në Kupën e Botës,
Kombëtarja e Kongos

Për Republikën Demokratike të Kongos, Botërori 2026 ka marrë një kuptim që shkon përtej futbollit. Pas një mungese 52-vjeçare në fazën finale të Kupës së Botës, kombëtarja kongoleze ka shkruar një kapitull historik, duke siguruar kalimin në fazën me eliminim direkt.

"Leopardët" e mbyllën fazën e grupeve me një barazim ndaj Portugalisë, një humbje minimale përballë Kolumbisë dhe një fitore bindëse 3-1 ndaj Uzbekistanit, ku protagonist ishte Joan Visa, autor i dy golave.

Tashmë Kongon e pret një sfidë e madhe ndaj Anglisë, por për futbollistët kjo përballje përfaqëson shumë më tepër sesa një ndeshje.

"Ne e meritojmë të luajmë kundër Anglisë. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu. Nuk është e lehtë në vendin tonë, ku në lindje vazhdon lufta. Sa herë veshim këtë fanellë, mendojmë për njerëzit tanë", deklaroi Joan Visa.

Sulmuesi 29-vjeçar është kthyer në një figurë simbolike për lidhjen e tij me vendlindjen. Në vitin 2022 ai vizitoi rajonin e Kivu Verior, një zonë e njohur për konfliktet e armatosura, por përmes postimeve në rrjetet sociale zgjodhi t'i tregojë botës një tjetër pamje të Kongos, me peizazhet e saj natyrore, kodrat e gjelbra, liqenet dhe vullkanet. Për banorët e zonës, Visa nuk është vetëm futbollist, por edhe ambasador i vendit të tyre.

Republika Demokratike e Kongos është një nga shtetet më të mëdha të Afrikës, me rreth 116 milionë banorë dhe një larmi të madhe etnike e gjuhësore. Megjithatë, provincat e Kivu Verior dhe Kivu Jugor vazhdojnë të përballen me pasojat e konfliktit me rebelët e M23.

Pavarësisht ndarjeve gjeografike dhe politike, kombëtarja ka arritur të krijojë një ndjenjë uniteti. Shumë banorë të lindjes nuk kanë vizituar kurrë kryeqytetin Kinshasa, ashtu si edhe shumë qytetarë të Kinshasës nuk kanë qenë kurrë në lindje të vendit. Megjithatë, të gjithë e konsiderojnë stadiumin kombëtar "Stade des Martyrs" si shtëpinë e tyre, simbol të përbashkët të identitetit kombëtar.

Ecuria historike në Botërorin 2026 solli festime në Kinshasa, Lubumbashi, Goma dhe Bukavu, madje edhe në zonat e prekura nga konflikti.

Presidenti i Federatës Kongoleze të Futbollit, Veron Mosengo Omba, e cilësoi suksesin si një moment të jashtëzakonshëm për vendin.

"Edhe në zonat e pushtuara njerëzit dolën në rrugë për të kërcyer. Këta djem na kanë dhuruar diçka të jashtëzakonshme", u shpreh ai.

Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Feliks Tshisekedi, i cili vlerësoi se çdo fitore forcon krenarinë kombëtare dhe identitetin e përbashkët të qytetarëve.

Kjo skuadër përfaqëson edhe lidhjen mes vendit dhe diasporës. Nga 26 futbollistët e grumbulluar për Botërorin, 21 janë rritur jashtë Kongos. Mes tyre janë edhe Aron Uan-Bisaka, Aksel Tuanzebe dhe Aron Tshibola, të cilët më parë kanë përfaqësuar kombëtaret e moshave të Anglisë, ndërsa pjesa tjetër është formuar në akademitë e Belgjikës, Francës dhe Zvicrës.

Kufizimet e vizave nuk u mundësuan shumë tifozëve kongolezë të udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara për të ndjekur Botërorin, por diaspora në Amerikën e Veriut mbushi stadiumet me mbështetjen e saj. Në Houston, ku ishte vendosur baza e ekipit, mijëra tifozë krijuan një atmosferë që i ngjante Kinshasës.

Pavarësisht rezultatit të sfidës me Anglinë, për Republikën Demokratike të Kongos ky Botëror ka hyrë tashmë në histori. Jo vetëm për arritjen sportive, por sepse për disa javë futbolli realizoi atë që politika nuk ka mundur prej dekadash: të bashkojë një komb të ndarë nga lufta, konfliktet dhe dallimet etnike.

kongo kombëtarja afrikane kupa e botës

Lini një Përgjigje