Kryeministri Edi Rama ka vijuar përplasjen e tij me protestuesit, duke kundërshtuar mënyrën se si është paraqitur pakënaqësia qytetare dhe duke e lidhur përhapjen e saj me ndikimin e algoritmeve dhe dezinformimit në rrjetet sociale.
Gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në Jalë, Rama deklaroi se protestat kanë shkaqe konkrete që duhen kuptuar, por sipas tij, ato shoqërohen edhe nga një valë manipulimi dhe amplifikimi në hapësirën online, e cila ndikon në perceptimin e qytetarëve dhe në përshkallëzimin e reagimeve.
Ai e justifikoi pakënaqësinë ndaj sistemit qeverisës duke thënë se bota virtuale luan rol në mënyrën se si qytetarët marrin informacion, krijojnë perceptime dhe reagojnë ndaj zhvillimeve politike e shoqërore.
"Ne sot jetojmë në një kohë kur niveli i vëmendjes ndaj asaj që lexojmë, shohim dhe diskutojmë ka rënë shumë. Mendja është shumë më tepër diku tjetër, sepse një pjesë e madhe e jetës sonë zhvillohet në ekranin e telefonit. Nuancat janë viktima e parë e çdo komunikimi dhe algoritmi ka një rol jashtëzakonisht të madh në përcaktimin e koloritit të jetës sonë", u shpreh ai.
Kryeministri theksoi se nuk e konsideron algoritmin si shkakun e protestave, por si një mekanizëm që, sipas tij, i përforcon ato përmes përhapjes së përmbajtjeve negative.
"Unë nuk kam thënë që algoritmi ishte arsyeja e protestës. Është e padiskutueshme që protesta ka arsye që lidhen me të përditshmen dhe ato duhen kuptuar. Por algoritmi ka impakt të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës, negativitetit dhe videove të manipuluara, që i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit", tha Rama.
Rama hodhi dyshime edhe mbi ndikimin e faktorëve të tjerë në protesta, duke deklaruar se përveç organizatorëve ekzistojnë edhe aktorë që kërkojnë të manipulojnë pakënaqësinë qytetare.
"Është e padiskutueshme që çdo protestë mbart një mesazh dhe detyra ime është ta kuptoj atë. Por detyra ime është edhe të kuptoj organizatorët, çfarë ka më shumë sesa ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të forcave të angazhuara në protestë. Ashtu si algoritmi nuk është organizatori i protestës, edhe forcat armiqësore apo dashakeqe me Shqipërinë nuk janë arsyeja themelore pse njerëzit kanë dalë në protestë", shtoi kryeministri.
Në vijim të fjalës së tij, kreu i qeverisë solli si shembull protestat për Zvërnecin, duke pretenduar se ato u nxitën nga perceptime të gabuara dhe dezinformim.
"Siç mund ta keni vënë re, protesta nisi me Zvërnecin dhe sot Zvërneci është harruar. Sepse shumë shpejt u kuptua që realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ai që njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit. Realiteti nuk është që qeveria shiti atdheun, shiti Sazanin apo shiti Zvërnecin. Është krejt e kundërta", përfundoi ai.
Zvërneci ishte gota që u derdh , por pakënaqësia ndaj pushtetit ishte akumuluar