UEFA ka caktuar arbitrin somalez Omar Artan për të gjykuar finalen e Superkupës Europiane, që do të zhvillohet më 12 gusht në Salcburg, ku do të përballen PSG-ja si fituese e Champions League dhe Aston Vila si fituese e Ligës së Europës.
Emërimi i 34-vjeçarit vjen në një moment të veçantë për karrierën e tij, pasi së fundmi ai ishte në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të një incidenti gjatë hyrjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas raportimeve ndërkombëtare, Artan u kthye mbrapsht pas mbërritjes, ndërsa autoritetet nuk dhanë një shpjegim zyrtar për rastin. Mediat kanë aluduar se ngjarja mund të ketë qenë e lidhur me procedura shtesë sigurie dhe kufizime hyrjeje.
Pavarësisht kësaj situate, UEFA ka zgjedhur t’i besojë një prej arbitrave më të vlerësuar të kontinentit afrikan. Omar Artan mban statusin e arbitrit ndërkombëtar të FIFA-s që nga viti 2018 dhe konsiderohet një nga talentet më premtuese në gjykimin ndërkombëtar.
Gjatë viteve të fundit, ai ka fituar vlerësime të shumta për paraqitjet e tij në kompeticionet e CAF-it, duke drejtuar edhe ndeshjen e dytë të finales së Ligës së Kampionëve të Afrikës. Në vitin 2025, ai u nderua me çmimin “Arbitri Afrikan i Vitit”, duke konfirmuar pozicionin e tij mes emrave më të spikatur të arbitrimit në kontinent.
Sipas raportimeve, përzgjedhja e Artan lidhet edhe me bashkëpunimin e zgjeruar mes UEFA-s dhe Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF), në kuadër të memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar së fundmi nga dy organizatat.
Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, vlerësoi aftësitë profesionale të arbitrit somalez dhe theksoi rëndësinë e këtij emërimi.
“Artan është një arbitër i shkëlqyer dhe futbolli ka fuqinë të bashkojë njerëzit. UEFA dëshiron të shprehë respektin e saj për Omarin dhe për cilësitë e tij të jashtëzakonshme në arbitrim, të cilat i kanë siguruar një emërim kaq prestigjioz”, deklaroi Ceferin.
Superkupa Europiane do të vendosë përballë kampionët e Europës, PSG-në, dhe fituesit e Ligës së Europës, Aston Vilën. Krahas interesit për sfidën në fushë, vëmendja do të jetë e përqendruar edhe te Omar Artan, i cili me këtë emërim shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje